Lajme

Milatoviç takohet me Gjukanoviç-in pasi e mposhti në zgjedhje: Jemi kundërshtarë politikë, por roli i presidentit është më i rëndësishëm


Dy ditë para se të betohet president i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç është takuar me presidentin në largim Milo Gjukanoviç. Milatoviç në konferencën për media pas takimit Gjukanoviç-in, theksoi se “ne jemi kundërshtarë politikë, por përmes bisedimeve kemi treguar se jemi të përkushtuar ndaj funksionimit të shtetit dhe se roli e presidentit është më i rëndësishëm se çdo politikë partiake”.

“Ky është një shembull i mirë i një tranzicioni demokratik të pushtetit. Në zgjedhjet e 2 prillit, qytetarët e Malit të Zi thanë se çfarë mendonin për politikën e zotit Gjukanoviç dhe politikën time. Na takonte të japim shembullin e praktikës së mirë demokratike. Dua të falënderoj zotin Gjukanoviç për bisedimet konstruktive”, potencoi Milatoviç, raporton mediumi malazez Vijesti.

Ai shtoi se në inaugurimin e tij do të marrë pjesë edhe Gjukanoviç, por edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve tjera perëndimore.

“Mendoj se atë ditë do të dërgohet një mesazh i mirë me ardhjen e përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe natyrisht presidentëve të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi presidenti malazez.

Ndërsa ish-presidenti Gjukanoviç, ka theksuar se bisedat me Milatoviç-in “ishin interesante”.

“Biseduam për kornizën politike rajonale, evropiane dhe globale, për shumë aspekte të politikës së brendshme. U pajtuam se ka shumë sfida dhe se është e rëndësishme që Mali i Zi të vendos stabilitet të brendshëm politik dhe qëllimi është Bashkimi Evropian”, tha Gjukanoviç.

Ndryshe, Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, ka thirrur seancë për të shtunën e 20 majit në orën 12:00, ku presidenti i sapozgjedhur zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç do të betohet si presidentit i ri.

“Pasi kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, do të hapë seancën, do të lëshohet himni kombëtar dhe pastaj presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç do të bëjë betimin dhe do të mbajë fjalimin inaugurues”, thuhet në njoftim nga kuvendi.

Sipas protokollit, në orën 17:30 në villën “Gorica” do shtrohet një koktej për mysafirët nga presidenti i Malit të Zi dhe bashkëshortja e tij.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, presidenti ka mandat pesë vjeçar.

Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.

Më 20 maj betohet presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore