Lajme

Më 20 maj betohet presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç


Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, ka thirrur seancë për të shtunën e 20 majit në orën 12:00, ku presidenti i sapozgjedhur zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç do të betohet si presidentit i ri.

“Pasi kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, do të hapë seancën, do të lëshohet himni kombëtar dhe pastaj presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç do të bëjë betimin dhe do të mbajë fjalimin inaugurues”, thuhet në njoftim nga kuvendi, raporton mediumi malazez Vijesti.

Sipas protokollit, në orën 17:30 në villën “Gorica” do shtrohet një koktej për mysafirët nga presidenti i Malit të Zi dhe bashkëshortja e tij.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, presidenti ka mandat pesë vjeçar.

Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, përkundër pretendimeve të disa mediave malazeze që e thonin të kundërtën.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Ftesa për Presidenten Osmani për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit Milatoviç ka ardhë”, tha Kupina për AP.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore