Shqipëria

18 vite burg për ish-policin që vrau 7-vjeçaren me skaf në Himarë


Gjykata e Vlorës ka dënuar me 18 vite burg ish-policin, Arjan Tase, i cili goditi për vdekje 7-vjeçaren, Jonada Avdia.

E mitura u godit në breg të detit nga një skaf që po lundronte jashtë zonës së përcaktuar.

Tase akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Më herët, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaroi se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri A.T., ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorët e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin A.T., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, këqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.

Prokuroria e Vlorës i mbylli hetimet për rastin më 11 korrik 2023, për tragjedinë e ndodhur në Himarë në verën e vitit 2022.

Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues, të zonës së përcaktuar (kufizuar) për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.

Hetimet janë përqendruar në institucionet përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik dhe konkretisht Bashkia Himarë, Komisariati Himarë si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, duke u marrë në cilësinë e të pandehurve shtetasit:

Kështu të akuzuar janë edhe shtetasit, F.M., me detyrë shef i sektorit të kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, N. B., me detyrë shef stacioni në Stacionin e Policisë Kufitare, Dhërmi, në sektorin e kufirit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.

Prokuroria ka akuzuar edhe tre trupat e shërbimit në mjetin lundrues BP06, të ngarkuar me kontrollin e vijës bregdetare në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë.

Të tjerë të akuzuar janë shtetasi A. D. me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Himarë, B. A. dhe A.B.,  me detyrë përgjegjës dhe punonjës të  Policisë Bashkiake në Bashkinë Himarë.

Ata akuzohen për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal si punonjës që kanë kryer kontrolle periodike në vendin e ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore