Kosova

BE: Kosova prioritizoi veprimet e njëanshme përshkallëzuese para bashkëpunimit, dëmtoi përpjekjet për arritjen e normalizimit


Ilustrim

Bashkimi Evropian (BE) deklaroi nëpërmjet një komunikate për shtyp se është i shqetësuar për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë filialeve të “Bankës Kursimore të Postës” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, duke shtuar se aksioni i fundit dëshmoi se autoritet kosovare zgjodhën veprimet e njëanshme para bashkëpunimit me aleatët.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, deklaroi në një komunikatë  zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

Autoritetet e Kosovës i mbyllën gjashtë objekte të “Bankës Kursimore të Postës” në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. E veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së BE-së, minon perceptimin evropian për “vullnetin e mirë” të Kosovës në dialog.

“Mbyllja e këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, apo pa koordinim, vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, i cili po ashtu merrej me çështjen e këtyre objekteve të Bankës Kursimore të Postës, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit dhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës në arritjen e normalizimit të raporteve”.

Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit në zonat e banuara me serbë etnikë, kur përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe monedha serbe nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

“Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës”, shtoi Stano, derisa përsëriti se “statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet nëpërmjet dialogut në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” në Kosovë.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të BE-së në Bruksel të Belgjikës më 15 maj për t’i vazhduar për herë të shtatë brenda pak muajsh negociatat mbi çështjen e dinarit, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje, ndërsa BE-ja shprehu gatishmëri të presë edhe një tjetër takimit për dinarin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore