Kosova

“Në politikë s’ka armiq dhe miq të përhershëm, ka interesa”, Haliti s’e përjashton koalicionin me LVV-në


Zërave brenda Partisë Demokratiket të Kosovës pro koalicionit të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që mund të mbahen sivjet, u është shtuar edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Ai në një bisedë për Albanian Post ka thënë se nëse do ishte interes i dyjave partive për bashkëpunim, do të mund të jetësohet ky koalicion.

“Në politikë nuk ka armiq dhe miq të përhershëm, në politikë ka interesa dhe në nëse interesat e PDK-së dhe LVV-së puqen, atëherë mund të ketë koalicion”, tha Haliti.

Por, Haliti shpjegon se tani për tani, “nuk ka vullnet” brenda PDK-së për të pasur një koalicion me LVV-në për shumë arsyeje.

“Por, për interesa politike mund të ketë koalicion. Nuk është diçka e pamundur, ne kemi pasur koalicion me gjitha partitë në Kosovë”, shtoi.

Ai është pyetur edhe për deklaratën e kryetares së partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, njëherit ministre e Punëve të Jashtme, e cila nuk e ka përjashtuar një koalicion të mundshëm me PDK-në, veçse sipas saj, kjo parti fillimisht do duhej t’i largonte “figurat e lidhura me krim dhe korrupsionin”.

“Nuk e di çka ka menduar pasi ajo është emigrante në Kosovë akoma, nëse di që ka kriminel në PDK, Gërvalla ka mundësi që t’i dërgojë rastet në Prokurori nëse ka fakte”, ka potencuar Haliti.

“Këto deklarime janë politike dhe për interesa të përkohshme, Gërvalla është kryetare e një partie të vogël, ajo duhet të jep llogari për punën e vet si ministre”.

Kur pyetet për takimin e kryetarit të partisë së tij Memli Krasniqi me kryeministrin Albin Kurti, Haliti thotë se “jam pro takimeve me gjithë eksponentët politikë”.

“Jo vetëm me zotëri Kurtin, por me gjithë protagonistët politikë që kanë të bëjnë më Kosovën, duke përfshirë edhe eksponentë politikë të Serbisë”, nënvizoi ai.

“Është më mirë që takohemi sesa të shahemi më njëri tjetrin. Nuk do t’i jap mësime askujt se si të shpërndahet Kuvendi dhe si të bije Qeveria, mirë është Qeveria më dhënë ndonjëherë dorëheqje”, ka përfunduar deputeti i PDK-së.

Pos Halitit edhe deputetët e kësaj partie Hisen Berisha dhe Ariana Musliu-Shoshi nuk e kanë përjashtuar një koalicion me LVV-në, duke thënë se “nuk kanë vija të kuqe” me asnjë parti dhe këtë do ta bënin “për ta shpëtuar Kosovën”.

“Për shpëtim të Kosovës” – s’përjashtohet mundësia e një koalicioni PDK-LVV

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore