Shqipëria

Zelensky telefonon Ramën, e informon për situatën në Kharkiv dhe diskuton planin bashkëpunues për mbrojtjen


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një bisedë telefoni me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ku ka njoftuar se ka folur rreth situatës së fundit në Kharkiv, si edhe planit bashkëpunues për mbrojtjen.

Përmes një publikimi në median social X, ish-Twitter, Zelensky fillimisht shkruan se e ka falënderuar Ramën, “një mik të madh të Ukrainës”, për qëndrimin e Shqipërisë, si edhe për pjesëmarrjen e kësaj të fundit në Samitin e Paqes për Ukrainës, i cili do të zhvillohet së shpejti në Zvicër.

“E informova kryeministrin Rama edhe për situatën e fushëbetejës, konkretisht për mbrojtjen e rajonit të Kharkiv. Ne diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në mbrojtje”, përmbledh Zelensky.

 

Më 28 shkurt, ishte Shqipëria, ajo e cila priti një Samit për Ukrainën, me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Aty, Rama theksoi se mbështetja ndaj Kievit nuk vjen vetëm prej Qeverisë, apo Parlamentit, por nga i gjithë populli shqiptar.

Gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rama e theksoi se shqiptarët mbajnë të njëjtin qëndrim me Ukrainën në betejën e saj përballë agresionit rus, për integritetin territorial

Kjo gjë, sipas tij, do të vijojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të ndodhë një paqe që zgjat.

Rama-Zelenskyt: Nuk keni vetëm Qeverinë, por gjithë popullin shqiptar në krah

“Shqipëria një anëtare e vogël, por krenare e NATO-s”, vijoi ai në fjalë, duke përcaktuar me vendosmëri se kjo mbështetje do të vijojë deri sa të jetë e nevojshme dhe deri sa të ndodhë një paqe e gjatë.

Por, kjo paqe, në fjalët e Ramës, duhet të jetë e drejtë për popullin ukrainas dhe sovranitetin e saj.

Ai gjithashtu vuri theksin tek palët skeptike brenda vendeve të Bashkimit Evropian, apo aleatëve perëndimorë, të cilët pretendojnë se lufta mund të ndalojë duke i hequr ndihmat Ukrainës.

Jo! Sipas Ramës, mënyra e vetme për ndalimin e luftës nuk është heqja e ndihmave për Ukrainën, por mposhtja e armikut, i cili në këtë rast është Vladimir Putin.

“E kemi dënuar agresionin rus dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur për ta ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet”, ravijëzoi kryeministri disa herë, teksa përshkroi se bisedimet në Samit kanë qenë të frytshme dhe ka pasur mbështetje të gjerë për kauzën ukrainase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore