Lajme

Stoltenbergu “inkurajoi” agresivitetin e Serbisë ndaj Ballkanit Perëndimor, konsideron ish-kryediplomatja


Meliza Haradinaj-Stublla

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka kundërshtuar ashpër deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili, gjatë vizitës së tij në Serbi, ka thënë se do të angazhohet për “forcimin e partneritetit” midis NATO-s dhe Serbisë.

“Ledhatim i Shëmtuar: Diskutimet për ‘forcimin e partneritetit’ mes Serbisë dhe NATO-s pas agresionit paramilitar të Banjës (planifikuar dhe ekzekutuar nga aparati shtetëror serb) praktikisht do të thotë të inkurajosh sjelljen agressive të Serbisë (lexo: Rusisë) ndaj të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

Shefi i NATO-s ka qëndruar të martën në Beograd. Stoltenbergu dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar ndër të tjera edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, rolin e NATO-s në rajon dhe “forcimin e partneritetit” ndërmjet NATO-s dhe shtetit serb.

Ish-kryeministri i Norvegjisë të hënën ka qëndruar për vizitë edhe në Kosovë, në kuadër të një turneu katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka takuar presidenten dhe kryeministrin e Kosovës – Vjosa Osmani-Sadriu dhe Albin Kurti – ku ka adresuar rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dy fqinjëve armiqësorë që assesi të dalin nga situata parakonfliktuale.

Stoltenberg në Beograd: Grumbullimi i Ushtrisë së Serbisë në kufirin e Kosovës s’i kontribuon zbutjes së tensioneve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore