Lajme

Indinjatë për vdekjen e vajzës në Antwerp teksa transporti i kokainës thyen rekorde


Politikanët belgë kanë shprehur zemëratën për vrasjen fatale të një vajze 11-vjeçare në Antwerp në një “luftë droge” midis bandave rivale.

Ngjarja vjen pasi autoritetet kanë njoftuar se konfiskimet e kokainës në portin e qytetit kaluan shifrën prej 100 tonësh për herë të parë vitin e kaluar.

Vajza, e cila u godit gjatë të shtënave në lagjen Merksem të hënën e 9 janarit në mbrëmje, u përshkrua nga kryetari i bashkisë së qytetit, Bart de Wever, si viktimë e pafajshme e një lufte kundër drogës.

“Lajm i tmerrshëm nga Merksem”, ka shkruar në Twitter ministri belg i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, duke shtuar se mafia e drogës nuk mund të zhytet më poshtë.

Sakaq, autoritetet njoftuan se kishin sekuestruar rreth 110 ton kokainë në vitin 2022 në Antwerp, duke vendosur një rekord të ri dhe duke kaluar për herë të parë pragun e 100 tonëve.

Në vitin 2021, autoritetet doganore sekuestruan 89.5 ton drogë, e cila shpesh fshihet në ngarkesat me fruta dhe perime.

Kristian Vanderwaeren, kreu i doganave në ministrinë belge të Financave, ka treguar se Belgjika përbën 40 për qind të të gjithë kokainës së zbuluar në Evropë.

Po ashtu e ka përshkruar Antwerp si “destinacionin kryesor” për kontrabandistët e drogës.

Madje aq shumë kokainë është gjetur saqë zyrtarët e zbatimit të ligjit vitin e kaluar kanë thënë se nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm incenerator për ta shkatërruar atë.

Ekspertët, paçka rritjes rekord, kanë sugjeruar se konfiskimet përfaqësojnë vetëm 10 deri në 20 për qind të sasisë totale të drogës në qarkullim.

“Çmimi në rrugë mbetet i qëndrueshëm, çka tregon se ajo që sekuestrohet nuk është e një natyre të tillë që të prishë tregun”, ka thënë avokati Johan Maes.

Gjatë dekadës së fundit, konfiskimet e kokainës janë rritur ndjeshëm në Antwerp dhe autoritetet kanë vlerësuar “punën e shkëlqyer të detektivëve” për kapjen e rekordit të fundit.

Gjithashtu kanë bërë me dije se planifikonin të rekrutonin 108 staf të ri për të forcuar kontrollet në Antwerp.

Ndërkohë, politikanët belgë kanë shprehur zemërim për vrasjen e vajzës 11-vjeçare në atë që u përshkrua si larje hesapesh mes trafikantëve të drogës.

Ajo u plagos rëndë kur një derë garazhi ra nën zjarr rreth orës 18:30 të së hënës në mbrëmje. Dera kishte fshehur një hapësirë banimi dhe dy fëmijë të tjerë u plagosën gjithashtu.

Vajza ndërroi jetë në spital nga plagët e marra.

De Wever ka treguar se familja e vajzës ishte e njohur për autoritetet. “Duket qartë si një pastrim hesapesh mes trafikantëve të drogës”, ka thënë ai për mediat lokale.

“Një luftë kundër drogës është në zhvillim e sipër. Kriminelët sulmojnë shtëpitë e kriminelëve të tjerë. Kjo është ajo që ne po përjetojmë prej muajsh. Ajo që kam pasur frikë prej disa kohësh ka ndodhur: një viktimë e pafajshme, një fëmijë, është vrarë”, ka shtuar kryebashkiaku.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore