Shqipëria

ILD-ja inspektim në Prokurori e Gjykata, 18 magjistratë nën hetim


Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD), në një deklaratë për mediat, ka bërë me dije se prej datës 1 shkurt 2020, kur nis veprimtaria e institucionit, janë mbi 3 mijë e 900 ankesa, që po administrohen dhe trajtohen.

Bëhet fjalë për ankesat e paraqitura pranë ILD-së në këto 17 muaj, nga qytetarë apo institucione, por edhe një numër i madh praktikash dokumentare të trashëguara nga institucione të mëparshme.

“Ky fond i konsiderueshëm arkivor përbëhet nga ankesa të patrajtuara, ankesa të trajtuara pjesërisht apo në faza fillestare të shqyrtimit të tyre, si dhe raste të hetuara pjesërisht apo të papërfunduara nga ana e organeve të mëparshme”, shkruhet në deklaratën e ILD-së.

ILD-ja thekson se ankesat apo praktikat dokumentare, trajtohen sipas një radhe përparësie të bazuar në disa kritere.

Sipas këtij organi të drejtësisë janë nisur procese hetimi dhe procedimi disiplinor ndaj 18 magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë), në Gjykatat e Prokuroritë e Rretheve Elbasan, Vlorë, Dibër, Tropojë.

Këto të fundit akuzohen për zvarritje të proceseve.

Inspektimi po kryhet pranë prokurorive të rretheve gjyqësore Shkodër, Fier e Vlorë.

Gjithashtu, ILD-ja njofton se “kanë nisur inspektimet tematike e institucionale pranë gjykatave, zyrave të prokurorive dhe administratave të tyre, me objekt respektimin e legjislacionit procedural penal, mbi kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit”.

ILD-ja është një institucion kushtetues dhe është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore