Shqipëria

I shkaktuan shtetit 60 milionë lekë dëm me skemat e TVSH-së, masa arresti e detyrim paraqitje për 7 persona


Prokuroria e Tiranës kërkoi masa sigurie shtrënguese për shtatë persona, përfshirë dhe një ish-punonjës së Qendrës Kombëtare të Biznesit, për Veprën Penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Nga analizimi i fakteve, u provua se janë krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive me anë të falsifikimeve, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksioner administrator dhe pjesëtar bordi drejtues, shtetas të huaj, përkatësisht 15 shtetas nga vende si Kuba, Spanja, Gjermania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi.

Të 17 subjektet tregtare kanë kryer shitje në mënyrë fiktive në vlerën 200 milionë lekëve, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60 milionë lekë.

Nga verifikimi i kryer, këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë punonjës, mjete ose adresa sekondare për të kryer punimet të cilat kanë faturuar.

Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se të 15 shtetasit e huaj të cilët kanë firmosur regjistrimet e subjekteve pranë QKB-së, nuk kanë hyrë në asnjë moment në Territorin e Shqipërisë.

Dokumentet e dorëzuara nga këta subjekte në QKB, Banka të nivelit të dytë (mandat pagesa kapitali), caktimi ekspertëve kontabël në statutet e tyre, u provua se janë të falsifikuara.

Në total, subjektet fiktive kanë kryer shitje në vlerë 192,622,898 lekë (të dhëna nga vetëdeklarimi). Këto vlera të cilat dyshohet të jenë fiktive, janë faturuar vetëm te subjekti që operon në fushën e kromit.

Personi nën hetimi shtetasi A. D., (ish specialist pranë QKB-së Vlorë), ka mundur të kryej regjistrimin e katër subjekteve tregtare, me status Sh.A (shoqëri aksionere).

Ndërsa personi tjetër nën hetim, shtetasi A. Ç. (ekonomist), ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpërmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH).

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore