Lajme

I përzgjedhuri i Qeverisë Kurti për kryetar të Bordit të ARKEP-së ishte hetuar për “falsifikim të dokumenteve”, “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “konflikt interesi”


Objekti i Qeverisë së Kosovës

Ndaj të propozuarit të Qeverisë Kurti për kryetar të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Nazim Rahimi, ishte ngritur një kallëzim penal në tetor të vitit 2018 për “Keqpërdorim të detyrës Zyrtare”, “Konflikt interesi” dhe për “Falsifikim të dokumenteve”.

Komisioni funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pritet të procedojë me pikat e rendit të ditës, ku pika e dytë do të jetë miratimi i vendimit të Qeverisë për Bordin e ri të ARKEP.

Kallëzimi penal, i cili është ngritur nga anëtari i Bordit të këtij institucioni, Shqiprim Pula, para rreth tri vitesh, përbën prova materiale në të cilat hyjnë disa shkresa elektronike të adresuara ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në krye të së cilës atëkohë ishte Valdrin Lluka, e shkresa elektronike adresuar komisionit funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi e Tregti.

Pala e cila ka ngritur kallëzim penal ndaj personit që prinë listën e të propozuarve për anëtarë të Bordit në ARKEP, ka treguar se nuk është njoftuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me vazhdimësinë e procedurës penale apo edhe të përfundimit të këtij procesi.

Por, ndryshe nga ai, Ministria e Ekonomisë e dokumenton që personi i apostrofuar nuk është dënuar për vepër penale dhe se ndaj tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale.

“Kallëzimi penal i ushtruar ndaj z. Nazim Rahimi është hedhur poshtë nga Prokuroria si i pabazuar dhe ndaj tij nuk është zhvilluar asnjë procedurë penale. Z. Rahimi ka dorëzuar certifikatën e gjendjes penale e cila dëshmon se ai nuk është dënuar për vepër penale dhe se ndaj tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ndonëse Komisioni ka kërkuar nga kjo ministri që të dorëzojë dokumentacionin që tregon se të propozuarit nuk kanë problem me ligjin, gjatë javës së kaluar në këtë komision është dërguar vetëm CV-ja e të propozuarve.

Tekstin e plotë mund të lexoni në Gazetën Online Insajderi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore