Lajme

Të mërkurën takohet Bislim e Petkoviç, prezent edhe Escobar i SHBA-së


Fotografia e shkrepur gjatë takimit në mes të Borrell-Kurti-Vuçiç

Të mërkurën e 29 shtatorit, në Bruksel zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohet me Drejtorin e Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, pas situatës së tensionuar në veri, pasi Qeveria e Kosovës më 20 shtator ka filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.

“Ata do të përdorin platformën e dialogut për të shqyrtuar rrugën përpara, që do të thotë de-përshkallëzim të situatës, sepse ajo që po ndodh aktualisht nuk është e mirë për popullin e Kosovës, Serbisë, por edhe në rajon”, tha Stano për Albanian Post.

Zëdhënës kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë i Bashkimit Evropian, Peter Stano

Në këtë takim pritet të marrë pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Kështu ka thënë për Albanian Post përmes një përgjigje me shkrim një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë të hënën.

“Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, thuhet në këtë përgjigje.

“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe do të inkurajojnë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar

Po ashtu në këtë përgjigje thuhet se “Shtetet e Bashkuara po punojnë me BE-në, NATO-n dhe Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë në hapa të menjëhershëm për të përshkallëzuar situatën dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, rrezikojnë përparimin e ardhshëm nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme. të qytetarëve”.

“Siç theksojnë ngjarjet e fundit, dallimet midis Kosovës dhe Serbisë, nëse lihen të pazgjidhura, do të pengojnë investimet e huaja dhe do të shpejtojnë ikjen e trurit, duke parandaluar ekonomitë kosovare dhe serbe të arrijnë potencialin e tyre të vërtetë dhe të bllokojnë integrimin e ardhshëm në institucionet evropiane”.

Përmes kësaj përgjigje i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të adresuar menjëherë këto çështje, duke përfshirë efektet në sektorin e energjisë dhe ekonominë më të gjerë që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë një recetë se si të trajtohen këto tema; kjo u takon palëve për të diskutuar. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin bashkëpunimin më të ngushtë rajonal për të eliminuar barrierat për lëvizjen e lirë, tregtinë dhe investimet në dobi të të gjithë qytetarëve në Ballkanin Perëndimor”.

Pjesëtarët e KROR-it zbarkojnë në Veri

Zyra për media e KFOR-it ka njoftuar se kanë marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke i shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e protestuesve serbë dhe ka vendosur njësitet e veta edhe në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin që ka.

Sipas njoftimit për media të KFOR-it, “masat e marra, që janë biseduar paraprakisht me institucionet e Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore, kanë qëllim deeskalimin e shpejt të situatës”.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999”, thuhet në njoftimin për media të KFOR-it.

“KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës”.

Ashtu siç ka raportuar Albanian Post të hënën paradite, se trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, janë gati për të intervenuar në Veri të Kosovës, aty ku prej një jave ka mbetur gjithçka e bllokuar pas aksionit të policisë për reciprocitetin e targave në dy pikat kufitare – Jarinje dhe Bërnjak, janë parë duke lëvizur në zonën neutrale në mes të kufirit Kosovë – Serbi.

Njësitet e Misionit Paqeruajtës, janë parë këtë të hënë po ashtu në zonën ku gjenden Njësia Speciale e Kosovës.

Trupat paqeruajtëse të KFOR-it afër pikës kufitare në Jarinje

Çfarë ndodhi në Veri?

Në orët e para të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u nisën për në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, përkatësisht më Jarinje e Bërnjak, për t’i dal n ë ndihmë Policisë Kufitare të cilët ishin urdhëruar nga Qeveria e Kosovës për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Kosova në Serbi.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarë serb të revoltuar nga këto masa të cilat po i aplikonte Kosova ndaj tyre, bllokuan të gjitha rrugët të cilat të qojnë në këto dy pika kufitare.

Më shumë se një javë dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Kamionët e serbëve në Jarinje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore