Lajme

Qeveria e Kosovës merr vendim për strehimin e afganëve


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se ka propozuar votimin e vendimit për nevojën e ofrimit të mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të Kosovës, për qytetarët afganë që kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane.

“Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezantuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për eksodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mirë”, ka shkruar në Facebook.

“Ky vendim, i hap rrugë kësaj kategorie për një vend ku do të qëndrojnë përkohësisht, të sigurt, të gëzojnë të gjitha të drejtat themelore sipas legjislacionit tonë si dhe përkrahjen institucionale deri në krijimin e një zgjidhjeje afatgjate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sveçla, ka shtuar se kjo përpjekje për të shpëtuar jetë është detyrim moral i vendit dhe parim njerëzor.

Ndërkaq sipas një njoftimi për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), tre kosovarët të cilët ndodhen në Afganistan janë në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut.

Gjatë ditës së diel, zyra për media e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte pohuar se është duke diskutuar me Qeverinë e Kosovës lidhur me strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë pëlqimin e saj për strehimin e përkohshme të afganëve civilë në Kosovë, pas kërkesës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, kërkesë e cila ishte përcjellë tek Osmani nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Osmani pëlqimin e saj e ka bërë të ditur përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, duke shtuar se pëlqimin e një operacioni të tillë humanitar është dhënë mbi parimin njerëzor se “nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Gjithashtu, liderët e partive politike opozitare në Kosovë janë shprehur të gatshëm të mbështesin strehimin e refugjatëve afgan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore