Lajme

“Aty ku shtypet punëtori s’ka shtet as liri”, për 1 maj protestohet në Prishtinë


Të dielën e 1 majit, me rastin e Ditës së Punëtorëve në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të protestohet e ku do të marrin pjesë individë, grupe e organizata të ndryshme.

Kështu ka njoftuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, përmes një njoftimi në Faceobok.

“Nesër, punëtore/ë, të papuna/ë, studente/ë, pensioniste/ë, bashkohemi e qëndrojmë bashkë kundër patriarkatit hetero-seksist, kapitalist, racist, ksenofob e transfob dhe ritheksojmë se ndryshimet rrënjësore e çlirimi i përket klasës punëtore. Përgatitjet e fundit për protestën e 1 majit”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë vitit 2021, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2021 është 29.3%.

Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (42.8%), ndërsa punësimi te femrat ishte 15.9%.

Ndryshe, 1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore