Lajme

Kelmendi për Albanian Post: Jam Kryeprokuror me kompetenca të plota deri në zgjedhjen e pasuesit të Lumezit


Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë për Albanian Post se ende nuk e ka marrë vendimin për t’u bërë zytarisht ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, pasi Aleksandër Lumezit i ka përfunduar mandati në këtë pozitë, të enjten e 21 prillit.

“Ende nuk e kam marrë vendimin sepse zotëri Lumezi është dhe sot në pozitë deri në ora 12, tek nesër ose në ditët vijim do ta marrë pozitën”, tha Kelemendi.

Kelmendi thotë se nuk e di sa zgjat emërimi i Kryeprokurorit të ri, shton se “kjo është vetëm pozitë e përkohshme”.

“Më vjen mirë është përgjegjësi, por edhe mendoj që duhet ta respektojë përgjegjësin që ma kanë dhënë”.

Ai thekson se do t’i ketë kompetencat e plota si Kryeprokuror.

“Ushtruesi i detyrë i ka kompetencat e plota, por të shohim sa do të zgjat, është e mundur që zgjat shumë pak, është e mundur që zgjat shumë”, derisa shton se është emëruar nga Këshilli Prokurorial në bazë të rregullores së KPK-së.

Më 13 prill, këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë për Albanian Post se Osmani ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me procesin e emërimit e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pasi Këshilli Prokurorial e ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë.

Por, Kupina thotë se presidentja para se të vendos se a do ta dekretojë a jo Isufajn, do të konsultohet me organizatat joqeveritare.

“Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”, tha Kupina.

Ndryshe pesë prokurorë kishin aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadon mandati këtë muaj.

Kandidatët e tjerë të cilët kishin aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

I habitur dhe i zhgënjyer me propozimin e Këshillit Prokurorial të Shtetit për emërimin e Blerim Isufajt, si Kryeprokuror të ri të Shtetit, është shprehur Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore