Lajme

Kryesuesi i KPK-së për AP: Raporti i Venecias s’lejon që Kryeprokurori të hiqet nga KPK-ja, as ndërprerjen e mandatit të anëtareve


Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku

Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, e vlerësuar si pozitiv raportin e Komisionit të Venecias, i cili ka nxjerrë rekomandimet e veta për reformat e synuara nga Ministria e Drejtësisë për sistemin prokurorial në Kosovë.

“Opinioni i Venecias është pozitiv, nuk lejon që anëtarët e KPK-së të zgjidhen nga deputetet e Kuvendit të Kosovës me votim të thjeshtë dhe të hiqet Kryeprokurori i Shtetit nga KPK-ja”, tha Maloku për Albanian Post.

“Po ashtu nuk është pajtuar me ndërprerjen e mandatit të anëtareve aktual të KPK-së”.

Pas deklaratës së Malokut për AP, përmes një komunikate për media institucioni që e drejton ky i fundit, e ka mirëpritur opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me draft-amendamentimin e Ligjit për KPK-në.

“Ky opinion siguron ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e sistemit prokurorial duke ritheksuar se iniciativat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Ligjin për KPK-në me këto propozime janë në kundërshtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Sipas KPK-së, Komisioni i Venecias në pikën 57 të këtij opinioni, ngreh dy shqetësime kryesore.

“Një “Këshill i “reduktuar” që do të përbëhej ekskluzivisht prej anëtarëve laik (duke përfshirë edhe prokurorin të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës do të ketë të njëjtin pushtet si Këshilli Prokurorial i Kosovës me përbërje të plotë, dhe më e rëndësishmja se ai do të vendosë për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit që do të bëhet në fillim të vitit 2022”.

KPK-ja ka thënë se bazuar në mendimin e Komisionit të Venecias, ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

“Çështja e dytë është se i njëjti “Këshill i reduktuar” me përfaqësues laik do të sigurojë kontroll të plotë në komisionin zgjedhor që mbikëqyrë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit nga kolegët e tyre. Sipas mendimit të Komisionit të “Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe evropiane”.

Ndërkaq sipas juristit Arbër Jashari, ky opinion deri diku, mund të quhet si fitore e të dy palëve.

“Në njërën anë i jep të drejtë Ministrisë të vazhdoi me reforma ligjore, në tjetrën, shtron nevojën që të ngritën mekanizma te tillë që të ruhet pavarësia e Këshillit Prokurorial dhe ndikimi nga jashtë”, theksoi Jashari për AP.

Arbër Jashari

Sipas tij, mbetet të shihet se si do t’i inkorporoj në ligj këto rekomandime ministria, dhe çfarë modalitetesh do të gjej.

Ndërkaq Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, teksa është shprehur e lumtur që Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka thënë se do të ndiqen me përpikëri rekomandimet e këtij komisioni.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, derisa e falënderoi për bashkëpunimin këtë komision, ajo tha se të premten e 17 dhjetorit grupi punues vazhdon punën në projektligje.

“Ne do t’i ndjekim pikë për pikë rekomandimet e Venecias dhe e falënderojmë për bashkëpunimin”, potencoi Haxhiu.

Albulena Haxhiu

Ndryshe, ky vlerësim i Komisionit të Venecias vjen pasi Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi opinion për projekt-amandamentet e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Në vlerësimin e Ministrisë, për të luftuar korporatizmin brenda sistemit të prokurorisë duhet të zvogëlohet numri i anëtarëve prokurorë të KPK-së, ndërsa proporcioni i anëtarëve duhet të rritet, dhe procedura për përzgjedhjen e tyre duhet të ndryshohet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore