Lajme

Hoxhaj: Bosnja drejt BE-së, Kosova në rang me Bjellorusisë


Enver Hoxhaj

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka konsideruar si lajm të madh për Bosnje e Hercegovinën hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa e ka vlerësuar si lajm të keq për Kosovën, pasi që, sipas tij, jemi në një pozitë me Bjellorusinë.

Këto komente, ish-kryediplomati kosovar i ka bërë në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“Vendimi i djeshëm i Këshillit Evropian për t’i hapur negociatat për anëtarësim me BeH është një lajm i madh për këtë shtet, por një lajm i shumë i keq për Kosovën, sepse, në fakt tregon se ne kemi mbetur tërësisht jashtë procesit të zgjerimit evropian dhe sot më shumë i ngjajmë një shtetit bunker të izoluar nga BE-ja dhe nën sanksionet e saj, ku nga Ballkani deri në Evropë Lindore, Kosova futet në rang me Bjellorusinë dhe raporti i Kosovës me BE-në është mjerisht i njëjti me atë të Bjellorusisë!”, shkroi Hoxhaj.

Pas kësaj ftese dhe vendimit të BE-së, deputeti i PDK-së theksoi se BeH-ja iu bashkua Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë “në marrëdhënien e saj të re dhe në shpejtësi tjetër të anëtarësimit në BE, ku edhe një vend si Ukraina që është në luftë dhe Gjeorgjia e Moldavia, kanë marrë statusin e kandidatit dhe Kosova jo”.

“Duke mbetur pas këtyre, ngjashëm me Bjellorusinë, të izoluar dhe madje të dënuar me sanksione, gjë që është dështimi më i madh i Kosovës në politikën e jashtme dhe në reforma të brendshme, të cilin as në ëndrrën më të keqe nuk kam mundur ta imagjinoj!”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore