Lajme

Hoti për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë: Do ketë pasoja të gjëra ekonomike dhe sociale


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, në fjalën e tij në seancën e kuvendit duke folur për vendimin për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, ka thënë se të dhënat tregojnë se do të ketë “pasoja të gjëra ekonomike dhe sociale për vendin”.

Për ta ilustruar këtë, Hoti dha disa shembuj.

“E para që ndoshta është më e madhja, është mosshpërndarja në mënyrë efektive e të gjitha burimeve, e në veçanti e buxhetit për shkolla, për spitale, për infrastrukturë, për shërbime publike, në veçanti për komuna”, tha Hoti.

“Sepse grantet që ne i shpërndajmë për komuna, nga granti i përgjithshëm për arsim e për shëndetësi marrin për bazë numrin e popullsisë dhe mungesa e regjistrimit të popullsisë do të nënkuptojë se edhe dy vite të tjera nuk do mund të përdoren të dhëna të sakta për të shpërndarë buxhetin në mënyrë efektive”.

E dyta, sipas ish-kryeministrit ka të bëjë me sektorin privat, që siç thekson ai, ndikon në vendimmarrjen e bizneseve.

“Kur bizneset ndërmarrin vendime për të investuar, për të organizuar rrjetin e tyre e bëjnë në bazë të planifikimit të tyre, bazuar në kërkesën – e cila për bazë ka numrin e popullsisë dhe kërkesën që vjen nga qytetarët për produktet dhe shërbimet të ndryshme”, pohoi.

Çka ndodhi?

U shtyj fillimisht për një muaj, për t’u shtyrë përsëri.

Përfundimisht, regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i paraparë të nis fillimisht më 1 shtator e më pastaj më 1 nëntor, nuk do të ndodhë gjatë këtij viti.

Përgjegjësinë për dështimin e këtij procesi nuk po e merr asnjë dikaster i cili ka në domenin e tij organizimin dhe mbarëvajtjen e censit.

Qeveria e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës po fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e këtij procesi.

Por, si qëndron e vërteta?

Problemet janë të shumta, por ndër më kryesoret ka të bëjë me faktin se Qeveria, Kuvendi dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk kanë bërë një ligj adekuat, i cili do të përfshinte të gjitha standardet ndërkombëtare dhe do të trajtonte problematikat e procesit në tërësi.

Agjencia e Statistikave te Kosovës, në veçanti, ka dështuar të hartojë një plan të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës për mbarëvajtjen e procesit të cenzusit (regjistrimit të popullsisë).

Agjencia e Statistikave, gjithashtu, nuk ka realizuar përgatitjet elementare dhe ka dështuar në menaxhimin e proceseve përgatitore të Regjistrimit të Popullsisë.

Siç merr vesh Albanian Post, Qeveria dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, të dytë bashkërisht, kanë dështuar në krijimin e infrastrukturës mbështetëse dhe zbatuese për të gjitha proceset tepër delikate të Regjistrimit të Popullsisë, sidomos krijimit të hapësirave ligjore të cilat do të ishin të domosdoshme në procesin e rekrutimit të kapaciteteve të nevojshme njerëzore dhe pajisjeve në fushën e teknologjisë informative.

Albanian Post nga burime brenda Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka kuptuar se kompetencat e procesit të rekrutimit të stafit për Regjistrimin e Popullsisë i janë dhënë Ministrisë së Financave, në mënyrë jo-ligjore, ndonëse i njëjti ka qenë në domenin e ASK-së.

Një ndër arsyet kryesore të dështimit të këtij procesi, siç ka kuptuar AP, ka të bëjë edhe me interferimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës në punën e Agjencisë së Statistikave, gjë që bie ndesh me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Qeveria e Kosovës ka interferuar edhe në aspektet themelore profesionale brenda ASK-së, pra në shkeljen e Parimeve Statistikore Evropiane duke imponuar edhe pjese jashtë këtyre standardeve në pyetësorin e Regjistrimit të Popullsisë”, ka thënë një burim i AP-së brenda ASK-së.

Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, sipas Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat) e cila funksionin brenda Komisionit Evropian, shërben si një mjet i rëndësishëm për mbledhjen e informacionit të saktë dhe të përditësuar demografik dhe të banesave, informacione të cilat më pastaj shndërrohen në të dhëna thelbësore statistikore për zhvillimin e politikave.

Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, sipas Eurostat, është një proces i cili duhet të kryhet nën përgjegjësinë e plotë të autoriteteve shtetërorë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Qeveria dhe ASK-ja dështojnë procesin e regjistrimit të popullsisë – ishte një nga rekomandimet kryesore për Kosovën në Raportin Vjetor të BE-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore