Lajme

Hoti për dyshimet e “kapjes” së BQK-së: I kam propozuar komisionit të ftojë në raportim Guvernatorin dhe Bordin


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se dyshimet që janë krijuar për përzgjedhjen e njërit nga zëvendësguvernatorët të Bankës Qendrore të Kosovës, duhet të sqarohen sa më parë.

Kërkesën Hoti, e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Dyshimet e ngritura lidhur me integritetin dhe mënyrën e përzgjedhjes së njërit nga zëvendësguvernatorët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) duhet të sqarohen sa më parë nga Guvernatori dhe Bordi i BQK-së, dhe sipas nevojës edhe nga organet përkatëse të sigurisë dhe inteligjencës”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka shtuar se i ka propozuar Komisionit për Buxhet dhe Financa që të raportoj guvernatori dhe bordi i BQK-së.

“Unë sot i kam propozuar Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës të ftojë nesër në raportim Guvernatorin dhe Bordin e BQK-së për këtë çështje”.

“Besoj se është obligim i këtij Komisioni Parlamentar të shqyrtojë këtë çështje me qëllim të ruajtjes së ligjshmërisë dhe integritetit e besueshmërisë së publikut në Bankën Qendrore të Kosovës”.

Ai tutje ka sqaruar edhe rëndësinë e institucionet të BQK-së.

“BQK-ja është institucioni kryesor në vend që ruan stabilitetin financiar në Kosovë, e cila është ndërtuar me mbështetje shumë të rëndësishme nga partnerët tanë”.

“Integriteti dhe besimi i publikut në këtë institucion vital nuk guxojnë të cenohen. Ndryshe hyjmë në një cikël të rrezikshëm”.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), të enjten ka emëruar dy zëvendës-guvernatorë, Nesrin Shileku Shala dhe Milot Cakaj.

Shileku Shala  dhe Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme, sipas njoftimit të BQK-së.

Me emërimin e dy zëvendës guvernatorëve është kompletuar bordi ekzekutiv i BQK-së, pasi që deri më tani përkrah guvernatorit, Ahmet Ismaili ishte zëvendës-guvernatori, Dardan Fusha i emëruar në nëntor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore