Kosova

Hoti, Kurtit: Po e pranon se Kosova është zhvilluar nga ‘regjimet e kaluara’ e jo varfëruar


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili të dielen përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter” njoftoi  se ka pranuar “lëvdata të larta” nga Banka Botërore, ngase sipas tij, shkalla e varfërisë në Kosovë ka rënë.

Hoti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se me këtë deklaratë kryeministri Kurti po e pranon që – megjithatë – Kosova është zhvilluar në aspektin ekonomik dhe nuk është varfëruar siç kanë aluduar nga Lëvizja Vetëvendosje para ardhjes në pushtet.

“Këtë të vërtetë tani po e pranojnë majtistët në pushtet. Pra, pavarësisht sfidave, Kosova qenka zhvilluar nga ‘regjimet e kaluara” e jo varfëruar, siç bëjnë propagandë mashtruesit. Mashtrimet e opinionit po marrin fund. E vërteta mbizotëron gjithmonë”, shkroi Hoti.

Kosova, sipas Bankës Botërore, gjatë dekadës së fundit, ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me rritje prej afro 50 për qind të të ardhurave për frymë dhe ulje prej 35 për qind të shkallës së varfërisë. Megjithatë, përkundër një dekade progresi, papunësia dhe varfëria mbeten të larta.

“Lëvdata të larta për Kosovën nga Banka Botërore këtë javë. Sipas këtij institucioni – krahasuar me 10 vjet më parë – Kosova ka rritur të ardhurat për frymë për 50 për qind dhe ka ulur shkallën e varfërisë për 35 për qind, duke tejkaluar vendet e ngjashme me të ardhura të ngjashme për frymë”, shkroi Kurti.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore