Lajme

Hill: Fati i serbëve nuk varet as nga Brukseli e as nga Uashingtoni, madje as nga Pekini


Chris Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, Christopher Hill, në konferencën “Bota në 2024” të mërkurën, në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), ka thënë se serbët duhet të kuptojnë se fati evropian i tyre është në duart e tyre, pra jo në kryeqytetet globale politike – Uashington, Bruksel dhe Pekin të Kinës.

Në hapje të konferencës, ai ka konsideruar se viti 2024 do të jetë “kompleks” dhe se rezultatet do të varen nga shumë faktorë, duke shtuar njëkohësisht se viti i ri do të jetë “shumë, shumë” i rëndësishëm për të gjithë njerëzit që duan të shohin zgjerimin e BE-së, ndërkohë që popullariteti i BE-së mes serbëve mbetet më i ulëti në Ballkanin Perëndimor.

“Për Serbinë, viti 2024 është një vit i rëndësishëm. Të gjithë serbët duhet të kuptojnë se fati i tyre nuk është në Uashington, Bruksel, madje as në Pekin, por fati i serbëve është te serbët”, ka thënë diplomati amerikan, derisa ka pasur disa fjalë edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së.

Ai ka theksuar se ka mundësi që procesi i dialogut Prishtinë-Beograd do të përparojë në muajt e ardhshëm dhe se në këtë drejtim, ka shprehur optimizmin se viti i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm për shtetin serb.

Perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt, nuk është e qartë. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore, duke refuzuar të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së.

Në vitet e fundit, sondazhet e opinioneve të kryera në rajon dhe Serbi, tregojnë polarizimin e shoqërisë serbe sa i përket besueshmërisë dhe anëtarësimit në BE. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e Serbisë tregojnë skepticizmin më të lartë dhe qëndrimin më negativ ndaj BE-së, duke favorizuar Rusinë dhe Kinën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore