Lajme

Haxhiu: S’ka bazë ligjore për të paguar dëmshpërblimin për viktimat në rastin e Salih Mustafës


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, këtë të enjte në një intervistë për Tëvë1 është shprehur se shteti i Kosovës nuk ka bazë ligjore që të paguajë dëmshpërblimin për viktimat në rastin e Salih Mustafës.

207 mijë euro është shuma që është caktuar për dëmshpërblim të viktimave në çështjen gjyqësore kundër Mustafës.

Mirëpo, sipas Haxhiut nuk ka bazë ligjore që shteti i Kosovës ta paguajë këtë shumë, pasi që siç thotë ajo “nuk mund të veprojmë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”.

“Më duhet të theksoj se ne nuk mund të veprojmë në shpërputhje me legjislacionin që ka Republika e Kosovës. Ne e kemi Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe ky Ligj jep mundësi Komisionit përkatës, që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të kompensojnë viktimat e krimit. Mirëpo për veprat të cilat nuk ndërlidhen me luftën”, tha ajo.

E, duke u bazuar në këtë Haxhiu nënvizon se e “kemi sqaruar se rregullimi aktual nuk e adreson këtë çështje”.

“Unë mendoj se nuk ka bazë ligjore për të bërë një gjë të tillë”, deklaroi ajo.

Ndryshe, 207 mijë euro është shuma që është caktuar për dëmshpërblim të viktimave në çështjen gjyqësore kundër Salih Mustafa.

Ky vendim është marrë të enjten e 6 prillit nga Gjykata Speciale dhe është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

Përmes kësaj shume 30 mijë euro për viktimën 8, 80 mijë euro për viktimën 9, 60 mijë euro për viktimën 10,  kurse për viktimat 5-6 dhe 12 shumën nga 10 mijë euro, kurse për viktimën 11 shumën prej 5 mijë dhe shumën prej 2 mijë për viktimën 13.

Më 16 dhjetor, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Musafës, i është dhënë dënimi prej 26 vjet burgim nga nga Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mustafa, i cili njihet ndryshe edhe si komandant Cali u shpallë fajtor në disa pika – “torturë si krime lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte”.

Dënimi, nga 35 vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 26 vjet burgim.

Mustafa është shpallur i pafajshëm për pikën e aktakuzës “trajtim mizor”.

207 mijë euro urdhërohet të paguajë Salih Mustafa për zhdëmtim të viktimave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore