Lajme

Haxhiu për zhdukjen e mostrave të Deharit: S’jemi ftuar ende nga Prokuroria, jemi në shërbim për informata


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se nuk do të jetë e lehtë të zbulohet se kush qëndron prapa zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

“Tashmë Policia dhe Prokuroria është duke e trajtuar këtë rast sepse siç e dini vetëm tre persona kanë pas qasje në vendin ku ruhen mostrat dhe janë suspenduar katër persona sepse ka qenë një person tjetër që nuk ka pas qasje, megjithatë ka qenë në të njëjtin ambient ku ruhen mostrat”, tha ajo për Kosovapress.

Thotë se tashmë janë “në shërbim të prokurorisë”, për informata shtesë në raport me këtë çështje.

“Deri tani nuk jam ftuar nga Prokuroria, për të dhënë dëshminë time sepse ky rast është njoftuar te unë e më pas unë kam kërkuar që të njoftohet drejtori dhe pastaj kam njoftuar organet përgjegjëse. Unë mendoj se ky rast është shumë e lehtë që të zbulohet sepse qasje në të kanë pasur vetëm tre persona”, u shpreh Haxhiu.

Sipas Haxhiu, ka një tendencë që rasti i ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari të dëmtohet edhe më tepër.

Ndërsa, konsideron se me Institutin e Mjekësisë Ligjore përkundër përpjekjeve për reformë, ende ndodhen larg.

Shtetit i zhduken mostrat e Astrit Deharit nga laboratori, “mungojnë 12 epruveta me gjak”

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pati thënë për Albanian Post se tashmë Prokuroria ka nisur hetimet për rastin Dehari, pasi në një konferencë për media ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

Aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore