Lajme

Haxhiu mohon raportimet se në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë punësuar militantë të LVV-së


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në mënyrë kategorike ka mohuar raportimet se në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka pasur punësime të familjarëve apo militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Haxhiut për herë të parë në historinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, komisioni përzgjedhës nuk ka pasur presionin më të vogël gjatë procesit të përzgjedhjes së zyrtarëve korrektues.

“Ata kanë qenë thjesht të lirë dhe pa asnjë ndikim dhe presion nga kabineti apo dikush nga Qeveria dhe po ashtu kanë qenë në monitorim”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin e saj social në Facebook.

Më tej, Haxhiu ka bërë të ditur se i njëjtë gjë ka ndodhur edhe me procesin e Provimit të Jurisprudencës, ku kanë kaluar provimin më shumë se 100 persona.

“Kurrë asnjë presion nga askush nga kabineti apo dikush tjetër nga qeveria. Njësoj do të ndodhë edhe me provimin për noterë dhe përmbarues por edhe me të gjitha konkurset e tjera. Çfarëdo përpjekje për të dëmtuar proceset e tilla është e dështuar”, ka shtuar ajo.

Ditë më parë, u raportua se edhe në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës ka pasur punësim të militantëve të partisë në pushtete.

Madje, lidhur me këto raportime Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar hetim, e ndërsa Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur mbledhjen dhe trajtimin e informatave relevante duke përfshirë edhe kontaktin me autoritetin përgjegjës për parandalim të interesit në kuadër të KEK-ut.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mohuar pretendimet, se të punësuarit e fundit në KEK kanë lidhje familjare apo janë militantë të Lëvizjes Vetëvndosje.

Kategorik në mohim ishte edhe sekretari për media dhe komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili potencoi se partia e tij nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike.

Ai madje ka bërë të ditur se në ditëve në vijim do të bëhen edhe paditë përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore