Lajme

Haradinaj: S’është e udhës të rrëzohet Kurti tani


Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur poshtë pretendimet se është duke punuar për rrëzimin e Albin Kurtit nga pozita e kryeministrit.

“Besoni unë nuk jam duke punuar për ta rrëzuar tani, nëse do të kisha punuar edhe e kishim rrëzuar”, u shpreh ai në T7.

Madje, ish-kryeministri Haradinaj shtoi se pa u arritur një marrëveshje finale me Serbinë, nuk është e udhës që Kurti të rrëzohet nga pushteti.

“Jam duke i dhënë përparësi të madhe përmbylljes së një agjende të aleatëve tanë të sigurisë. Njëherë për njëherë është mirë ta përfundojë marrëveshjen”.

Haradinaj bëri thirrje që elitat politike në vend të punojnë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç tha ai, për të forcuar pozitën e Kosovës në këto momente.

“Të gjithë ata njerëz që dinë diçka, është mirë të bashkohen dhe t’ia përforcojnë pozitën dhe tw punojnë së bashku me Amerikën. Nuk e kam për çështje votash por çështje jetë a vdekje për vendin tim”, theksoi ai.

Ndryshe, Haradinaj ditë më parë është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin ku kanë biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel. Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, përfudnoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore