Kosova

Haradinaj, Osmanit: E keni heshtur “JO-në” e Kosovës për gazin amerikan


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas reagimit të mbrëmshëm që bëri pasi Serbia dhe Rusia arritën marrëveshje për gazin.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Osmani është duke e “vajtuar” marrëveshjen Vuçiç-Putin për gazin rus, e po heshtë për refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan nga kryeministri Kurti.

“Presidentja e vajton marrëveshjen Vuçiq-Putin për gazin rus e e heshtë JO-në e Kosovës (e thënë nga KM Kurti) për gazin amerikan?!? Ec e bjeri në fije!”, ka shkruar Haradinaj.

Më 30 maj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se vendimi i qëllimshëm i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të marrë anën e Rusisë është një goditje për perspektivat e Serbisë për të ecur në rrugën e BE-së.

“Ai ka zgjedhur të bashkohet me një kriminel lufte dhe të financojë luftën e Putin-it, mbi një Evropë të bashkuar, paqësore dhe të begatë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

“BE nuk mund të injorojë më rrugën shkatërruese që ka marrë”, shtoi ajo.

Ndryshe, Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Në BE thanë se vazhdojnë të presin që Beogradi të mbështesë sanksionet e bllokut ndaj Rusisë.

Zëdhënës i Bashkimit Evropian për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, Peter Stano, ka thënë për REL se BE-ja pret që Serbia s’i vend kandidat të mos forcojë edhe më shumë lidhjet e saja me Rusinë.

“Nga vendet kandidate pritet po ashtu që gradualisht të përshtatin politikat e tyre ndaj vendeve të treta me qëndrimet dhe politikat e miratuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe masat kufizuese”, tha Stano.

Më 29 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se ka pasur një bisedë shumë të mirë telefonike me homologun e tij nga Rusia, Vladimir Putin, me të cilin është pajtuar për një çmim jashtëzakonisht të favorshëm të gazit për Serbinë, derisa ka treguar se Putini e ka njoftuar se një marrëveshje paqeje për Ukrainën është në tryezë, po ashtu ka shtuar se pret presion nga Perëndimi për ta njohur Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore