Lajme

Haradinaj, Kurtit: Serbia nuk zmbrapset me trimat e rrjeteve sociale


Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, konsideron se skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës “është duke hyrë në një fazë kritike”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, aika kërkuar nga kryeminstri që të përgatiten për situatën aktuale dhe veprimet që do të marrin.

“I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar”, pasi sipas Haradinaj, “Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”.

Kreu i AAK-së ka theksuar se kjo situatë mund të përshkallëzoj.

“Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese”, ka shkruar Haradinaj.

“Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit”.

Haradinaj thirrje ka bërë edhe tek partnerët e sigurisë që të menaxhojnë situatën.

“Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë”.

“Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në një konferencë për media ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’i ftojë në një takim krerët e partive politike, shkaku i situatës në Veri.

“Tema e parë të cilën dua ta adresoj sot lidhet me shqetësimet që AAK-ja i ka në raport me gjendjen në vend, e cila është shumë serioze dhe kërkon përgjegjësi institucionale dhe veprim shtetëror”.

“Në emër të AAK-së e ftoj kryeministrin Kurti që urgjentisht të thërras në një takim krerët e partive politike parlamentare, për të diskutuar dhe për të çuar një mesazh të bashkimit dhe unitetit politik karshi gjendjes në vend. Planet djallëzore të Serbisë, tani më i kanë kaluar vijat e kuqe, si rrjedhojë, uniteti në këto situata është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri

Kurse ka pasqyruar edhe aktivitetin e grupit Parlamentar të AAK-së gjatë 2022.

“Raporti prezanton angazhimet si: rezolutat parlamentare, interpelancat, nismat ligjore, amandamentet, debatet, pyetjet parlamentare dhe tryezat. Grupi Parlamentar i AAK-së e konsideron se angazhimi parlamentar ka qenë i prirë në përfaqësimin e drejtë të interesit të qytetarëve dhe shtetit”.

“Në rend të parë i ndërtuar mbi tema jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës, si ato të ndërlidhura me situatën e sigurisë, politike, dialogu, partneriteti me aleatët, sovraniteti dhe ato socio-ekonomike si ekonomia, inflacioni, ndikimi enorm në rritjen e çmimeve, por edhe ato shoqërore si grevat, kërkesat për rritjen e pagave”, tha Tahiri.

Sipas kreut të AAK-së janë ofruar edhe kontribut dhe alternative kështu duke nisur nga dialogu dhe konsolidimi i shtetësisë.

Kurse, shqetësimi kryesor për këtë parti vazhdojnë të jenë temat e sigurisë.

“Temat e sigurisë, kanë qenë preokupim dhe angazhim i vazhdueshëm, duke i adresuar nëpërmjet interpelancave, punës në komisionet e kuvendit, pyetjeve parlamentare dhe debateve. Kjo ka shërbyer në dy drejtime, e para për paralajmërim të hershëm për Qeverinë lidhur me situatën e rëndë, por edhe njëkohësisht për ta mbajtur të mbikëqyrur mbi këto zhvillime. Fokus i veçantë, këtë vit, kanë qenë diskutimet dhe debatet parlamentare për Ligjin për Zyrtarët Publik dhe Ligjin e Pagave”.

“Duke nxitur, por edhe kontribuar që përmes miratimit të rezolutës, që Ligji i Pagave, të miratohet por edhe hyr në fuqi sa më shpejt, por edhe për të alarmuar presionin për të vendosur kontroll partiak mbi administratën publike e rrezikuar në tërësi reformat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore