Lajme

Haradinaj: Falë SHBA-së dhe BE-së u gjet zgjidhja për një situatë shpërthyese në veri


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian ka ndihmuar që mos të ketë një situatë shpërthyese në Veri të Kosovës pas vendosjes së barrikadave.

“Falë Amerikës dhe BE-së, edhe një herë u gjet zgjidhja për një situatë shpërthyese në veri të vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Deklarata e përbashkët SHBA-BE si përcaktim që problemet e hapura me Serbinë të zgjidhen me mjete politike, është udhërrëfyes që duhet ndjekur edhe ne si Kosovë”.

Sipas tij, si gjithmonë edhe këtë herë u dëshmua se partneriteti me ShBA dhe BE nuk ka alternativë.

Ndryshe, dy kamionë, të përdorur në barrikadat serbe në veri të Kosovës, në zonën e njohur si “Shkëmbi i Dudës”, janë shkrumbuar gjatë natës.

Ngjarja e ndodhur në Mitrovicën veriore është shënuar në orët e vona të natës, teksa nuk ka ende një deklaratë mbi shkaqet apo autorësinë e gjithë zhvillimit.

Kamionët qenë vendosur në rrugën kryesore të kësaj zone më datë 27 dhjetor, si përpjekje për barrikadimin e mëtejshëm të segmenteve kaluese në veri të Kosovës.

Konfirmimi mbi ngjarjen ka ardhur edhe nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët bënë me dije se kanë qenë dy kamionë të djegur, të cilët ishin vendosur në barrikadë.

Përtej dëmeve materiale, nuk është raportuar ndërkohë mbi lëndime në njerëz.

Teksa, rasti, po hetohet dhe ende nuk ka përgjigje përfundimtare për autorësinë e veprës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore