Lajme

Haradinaj: E kam lexuar të plotë draft-statutin – Serbia ka arsye për t’u ndier fitimtare


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një intervistë për televizionin “Klan Kosova” të martën, ka insistuar sërish se Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE), Mirosllav Lajçak, ka ndarë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe gjatë takimit me përfaqësuesit e opozitës, porse dokumentin nuk ua ka dhënë me vete.

Ai ka theksuar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, derisa ka shtuar se ky është një draft-statuti i hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë e për të cilin komuniteti serb në Kosovë, por edhe Serbia, duhet të ndihen fitimtare për shkak të përmbajtjes “bukur të pasur” me të drejta.

“Ne kemi pasur të drejtë të marrim shënime, por nuk kemi pasur të drejtë ta marrim dokumentin me vete. Në dokument janë dhënë shumë mundësi për serbët e Kosovës. Dokumenti është i shkruar mjaft mirë. Serbët e Kosovës dhe Serbia kanë mjaft aryse për t’u ndier fitimtarë… Janë identifikuar me shumë kujdes interesat e serbëve të Kosovës”, ka thënë kreu i AAK-së.

Ai ndër të tjera ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me insistimin e tij për të nënshkruar Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin të Implementimit (Ohër, 18 mars), përfshirë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa ka shtuar se Kosova është duke dhënë shumë në procesin e dialogut për normalizim.

Lajçaku ka zhvilluar të martën një takim të përbashkët me përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështje të tjera në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, porse ndryshe nga kolegët e tij opozitarë, kreu i AAK-së ka insistuar se e ka lexuar draft-statutin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore