Lajme

Mehmeti: Nën udhëheqjen time BQK-ja ka arritur të siguroj një sistem financiar të qëndrueshëm


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka mbajtur konferencën e fundit në postin e të parit të BQK-së.

Ai ka thënë se përkundër vështirësive me të cilat është ballafaquar, BQK-ja ka arritur të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, e sidomos në vitet e fundit, ku arriti të përballojë me sukses krizat e shkaktuara nga pandemia COVID 19 e tani edhe agresioni rus në Ukrainë.

“Sistemi financiar në vend gjatë kësaj periudhe pesë vjeçare, është karakterizuar me zhvillime pozitive dhe rritje të vazhdueshme në të gjithë indikatorët e saj. Nën udhëheqjen time si Guvernator, BQK-ja ka arritur të siguroj një sistem financiar të qëndrueshëm, stabil, të mirëkapitalizuar dhe likuid. Një qëndrim i ngjashëm lidhur me sistemin financiar në vend mund të evidentohet edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas tij, performanca e përgjithshme financiare e BQK-së gjatë kësaj periudhe, ka qenë shumë e kënaqshme, duke realizuar të ardhura gjithëpërfshirëse gjatë gjithë pesëvjeçarit të qeverisjes.

“Ky sektor nga tetori 2018 deri në vitin 2022, ka shënuar rritje, ku në fund të vitit 2022 arriti në 6.76 miliardë euro, nga 4.18 miliardë si ishin në fund të vitit 2018”, tha ai.

“Përveç sektorit të bankave, edhe IMF-IFJB-të shënuan performancë stabile, ku në fund të vitit 2022 vlera e aseteve të këtij sektori ishte 387.7 milionë euro, një rritje prej 146.1 milionë euro, apo 60.5 për qind krahasuar me vitin 2018”.

Ai ka theksuar se rritja stabile dhe cilësore e kredive, konfirmohet edhe nga niveli i kredive jo performuese në raport me gjithsej kreditë që në fund të vitit 2022 ishte 1.8 për qind, më ulët krahasuar me vitin 2018 kur ishte 2.2%.

Në konferencën për media, Guvernatori ka përmendur vendimet për tërheqjen e licencave të institucioneve IuteCredit dhe Monego.

Tutje Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se mbikëqyrja e përafërt dhe kërkesat e vazhdueshme për përmbushjen e kërkesave ligjore, ka rezultuar në injektim të vazhdueshëm të kapitalit nga sektori i sigurimeve në vend. Gjatë viteve 2019-2022, injektimi shtesë i kapitalit ishte në shumë prej 20.3 milionë euro.

“Gjatë periudhës pesë vjeçare, Fondet Pensionale në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme, ku nga 1.65 miliardë euro sa ishin në fund të vitit 2017, deri në muajin dhjetor të vitit 2022 fondet pensionale kanë arritur në vlerën prej 2.42 miliardë euro”.

“Është e rëndësishme të theksohet se përkundër tërheqjes së 10 për qind të fondeve pensionale gjatë vitit 2020, si rezultat i aprovimit të ligjit për rimëkëmbje ekonomike, në vlerë rreth 200 milionë euro, fondet pensionale kanë vazhduar trendin rritës edhe gjatë viteve vijuese, përkatësisht gjatë vitit 2021 dhe 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore