Lajme

Gashi: Kurti të vijë në seancë raportuese për rrëmbimin e tre policëve dhe raportet me aleatët


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në fjalën e tij ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të vijë që të raportojë në Kuvendin e Kosovës lidhur me kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia, por edhe për raportet me aleatët.

“Në emër të LDK-së, kërkoj që kryeministri të vij sa më shpejt në një seancë të veçantë raportuese para Kuvendit të Kosovës dhe të raportoj për situatën në Veri për gjendjen e zyrtarëve policorë për aq sa ai ka informacione për veprimet dhe masat që janë marrë”, tha Gashi.

Ndërkaq, ai theksoi se në emër të partisë që ai përfaqëson “e dënojmë fuqishëm agresionin nxitës të Serbisë duke kidnapuar tre zyrtarë policorë brenda territorit të Kosovës”.

“Ky është një veprim agresioni i dënueshëm politikisht dhe ndërkombëtarisht dhe një veprim i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të lejohet të përsëritet”, shtoi ai.

Tutje, shefi i grupit parlamentare potencoi se “kërkoj Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë që të bëhet e pamundura për kthimin e zyrtarëve policorë në Republikën e Kosovës dhe masa e marrjes së masave të tjera të duhura”.

Ndërkaq, përveç kësaj çështje, Gashi e ftojë kreun e ekzekutivit që “si pjesë e dytë e raportimit  para Kuvendit, në kërkojmë që kryeministri t’i raportojë Kuvendit të Kosovës lidhur me raportet me ShBA-në dhe vendet e BE-së”.

“Sepse e kemi parë qëndrimet zyrtare të SHBA-së dhe BE-së, lidhur me mundësinë e masave ndëshkuese për institucionet e Kosovës, e cila është një ngjarje shumë shqetësuese, e cila nëse ndodh do të jetë shumë e rëndë dhe e pa tejkalueshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, potencoi ai.

Ndryshe, 3 policë të Kosovës janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

Në vazhdën e tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, që nga 26 maji, kur serbët lokalë kundërshtuan në mënyrë të dhunshme që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të futeshin në zyrat e tyre, pasditen e së mërkurës, janë rrëmbyer tre policë të Kosovës nga Serbia.

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës, Policia e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thanë se ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës, për dallim nga pretendimi i Serbisë që deklaruan se një gjë e tillë ka ndodhur brenda territorit të Serbisë.

Fillimisht lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues”, njoftoi policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore