Sport

Futbollisti i Kosovës ia dhuron fitoren Malmo-s, hyn në lojë në minutën e 92-të dhe shënon pas katër minutash


Futbollisti i Kosovës U21, Patriot Sejdiu, ishte fantastik në ndeshjen që ekipi i tij, Malmo, e fitoi me rezultat 0:1 në udhëtim te Halmstad, takim ky i vlefshëm i javës së tetë në kampionatin suedez, Allsvenskan.

Në fakt, fitorja për gjigandin suedez nuk ishte aspak e lehtë, derisa në skenë doli Patrioti.

Sejdiu u inkuadrua në lojë në minutën e dytë shtesë të ndeshjes, derisa iu nevojitën vetëm katër minuta që ta shënonte golin e epërsisë për ekipin e Malmo-s.

Me këtë fitore, Malmo tani ka bilanc të qind për qind me tetë fitore në po aq ndeshje, duke u radhitur e para në tabelën e elitës së futbollit suedez.

Ndërkohë, për Sejdiun ky ishte goli i parë në këtë sezon dhe ka dhuruar edhe një asistim në vetëm 45 minuta sa ka luajtur në tre ndeshje.

Kurse ai numëron edhe katër gola të tjerë në nëntë ndeshje në Kupë dhe në Ligën e Evropës. Ndërsa Sejdiu deri më tani numëron vetëm një paraqitje me Kosovën U21.

Kujtojmë që Malmo është skuadra më e trofeshme në historinë e kampionatit suedez, të cilët kanë fituar 25 tituj kampion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore