Lajme

FSSHK-ja kërkon rritje të pagave prej 50 për qind, nëse nuk kalon Ligji i Pagave


Ilustrim

Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës rritje të pagave prej 50 për qind për të gjithë të punësuarit në sistemin shëndetësor, nëse nuk miratohet Ligji i Pagave.

Ky këshill i ka bërë thirrje Qeverisë që Ligji mbi Pagat të procedohet, miratohet dhe implementohet me buxhetin e vitit 2022.

“Këshilli Drejtues i FSSHK unanimisht kërkon nga Qeveria e Kosovës që nëse Ligji i Pagave nuk kalon të ketë rritje të pagave për të gjithë të punësuarit në sistemit shëndetësor në lartësi prej 50 për qind dhe kjo bazuar në faktin se nuk ka pasur rritje pagash që nga viti 2014”.

FSSHK ka paralajmëruar masa radikale e sindikale, si ndërprerje të punës në të gjitha institucionet publike shëndetësore, nëse nuk procedohet Ligji për Pagat.

Ilustrim

“Mbesim me shpresë që Qeveria do të reflektojë në të kundërtën për të gjitha pasojat e mundshme përgjegjësinë e bartë vet Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet nga FSSHK.

Po ashtu, Këshilli Drejtues i FSSHK-së, sipas njoftimit thuhet se ia kujton gjendjen e rëndë të punëtorëve shëndetësor si pasojë e inflacionit dhe shtrenjtimit të jetës, rritje kjo e cila “do të ndikonte në zbutjen e kësaj gjendje, kjo rritje do të vlente deri në fillimin e implementimit të Ligjit të Pagave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore