Lajme

FSK mund të zbarkojë në Kuvajt për të mbështetur misionet e amerikanëve në Irak


Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcës (SOFA), në mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit.

Kjo i mundëson Forcave të Sigurisë së Kosovës, lehtësimin dhe zgjerimin për bashkëzbarkim me forcat aleate amerikane edhe në operacione tjera paqeruajtëse.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kjo marrëveshje lejon dhe rregullon qëndrimin e përkohshëm dhe atë tranzit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e Shtetit të Kuvajtit për pjesëmarrje dhe mbështetje në misionet e forcave të SHBA-së në Republikën e Irakut.

“Kjo marrëveshje është iniciuar me rastin e fillimit të planifikimeve për pjesëmarrjen e FSK-së në bashkë-zbarkimin e parë me forcat amerikane në Kuvajt, por që nuk është arritur të finalizohet në kohë”, shkruan tutje Mehaj.

Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa, tutje ka bërë të ditur se Kosova ka shprehur interesim për pjesëmarrje në misione të tjera bashkë-zbarkimi me forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Miratimi i këtij projekt-ligji e bën më të lehtë mundësinë e realizimit të misioneve të ardhshme të bashkë-zbarkimit me forcat amerikane në territorin e Shtetit të Kuvajtit”.

Me mbështetje të deputetëve të opozitës dhe pozitës, Kuvendi ka votuar në parim edhe Projektligjin për policinë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndryshe FSK, misionin e parë paqësor jashtë vendit, e kishte bërë në Kuvajt në mars të vitit të kaluar.

Kontingjenti i FSK-së që shkoi në Kuvajt, ishte pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas.

Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura, proces ky që pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore