Lajme

Francezja “Charlie Hebdo” nuk ka të ndalur, tallet me viktimat e tërmetit në Siri


Revista satirike franceze “Charlie Hebdo” ka ngjallur zemërim në mediat sociale pasi publikoi një karikaturë që duket se tregonte tërmetin me magnitudë 7.8 që vrau mijëra në Turqi dhe Siri.

Vizatimi i artistit, Pierrick Juin, tregonte ndërtesa të rrënuara me mbishkrimin: Nuk ka nevojë të dërgohen tanke.

Përdoruesit e mediave sociale thanë se karikatura tallte tragjedinë që preku miliona njerëz në dy vende dhe e quajtën vizatimin “të neveritshëm”, “të turpshëm”, “revoltues” dhe të ngjashëm me “gjuhën e urrejtjes”.

Një grua me emrin Sara Assaf u përgjigj duke thënë se po tërhiqte mbështetjen e saj për revistën.

“Je ne suis plus Charlie (Unë nuk jam më Charlie)”, shkroi ajo, duke iu referuar sloganit “Je suis Charlie” (Unë jam Charlie) të miratuar nga mbështetësit e medias pas sulmit të 7 janarit 2015 në zyrën e tyre.

Atë ditë, dy vëllezër që pretendonin se ishin të lidhur me Al-Qaedan hapën zjarr në selinë e Parisit të së përjavshmes satirike franceze, duke vrarë 12 persona si hakmarrje për paraqitjet vizatimore të profetit të Islamit Muhamed.

Sulmi shkaktoi një shpërthim global solidariteti me Francën, si dhe një debat mbi atë se çfarë përbënte lirinë e fjalës.

“Ne ishim me ju gjatë dhimbjeve tuaja. Është një fatkeqësi për njerëzimin ajo që po kalojmë tani!”, tha një përdorues.

Studiuesi mysliman amerikan, Omar Suleiman, theksoi se, “tallja me vdekjen e mijëra myslimanëve është kulmi i mënyrës se si Franca na ka çnjerëzuar në çdo mënyrë”.

Disa përdorues vunë re se si turqit kishin organizuar marshime mbështetjeje pas sulmit të vitit 2015, duke u mbledhur pas fushatës “Je suis Charlie”, vetëm për t’u shpërblyer me atë që shumë e panë si përbuzje.

Analistja politike, Öznur Küçüker Sirene, iu drejtua revistës në një postim në Twitter.

“Edhe turqit ishin ‘Charlie Hebdo’ për të ndarë pikëllimin tuaj dhe sot ju guxoni talleni me vuajtjet e një populli të tërë. Njeriu duhet të ketë vërtet pak nerva për ta bërë këtë, ndërsa ka ende foshnja që presin të shpëtohen nën rrënoja”.

Një përdorues tha se pamja shfaq “shpirtin e vërtetë” të “Charlie Hebdo”, ndërsa një tjetër tha se “burimi i vetëm i të ardhurave për këtë gazetë është islamofobia”.

Disa mbështetës të “Charlie Hebdo” u përpoqën të mbronin komiken, duke e quajtur atë “satirë” dhe kishte nevojë për “kontekst”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore