Lajme

Forumi i Miqësisë në Athinë, në kërkim te dialogut


Është mbledhur në Athinë, Forumi i Miqësisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve evropianë dhe të botës arabe.

Franca, Greqia, Qipro, Egjipti, Iraku, Arabia Saudite, Bahreini, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të gjitha nën një strehë, me qëllim zgjidhjen e çështjeve diplomatike, ekonomike dhe menaxhimin e Covid-19.

Ishte kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili mirëpriti ministrat e jashtëm të këtyre vendeve.

Ndër të tjera, u përmend edhe problemi shumëvjeçar i Qipros dhe kufijtë detarë Turqi-Greqi.  Kryeministri grek ritheksoi faktin se “Greqia është e përkushtuar të zbatojë ligjin ndërkombëtar të detit, paqes, sigurisë dhe fqinjësisë së mirë”.

Por, nga ana tjetër, pala turke nuk ishte e ftuar në këtë forum. Mitsotakis-i, sqaroi se Forumi i Miqësisë “është i hapur për të gjithë, si organizëm që bashkon tre kontinente”. Ky, është një mesazh i qartë ndaj Turqisë, për t’u ulur në tryezë.

Partneriteti midis vendeve pjesëmarrëse, lidhet me shumë çështje, përfshi lidhjet tregtare të Mesdheut, Detit të Kuq dhe Gjirit Persik.

Përsa i përket çështjeve të Covid-19, u theksuan vlerat e Kombeve të Bashkuara dhe trajtimin e njëjtë për çdo vend. Kjo, si nga aspekti i ndihmave ekonomike, ashtu edhe nga ato mjekësore.

Nëse raportet diplomatike midis vendeve do të forcohen, ky mund të jetë edhe një mesazh i fshehur për çështjen e Libisë. Fronti i mbledhur në Forumin e Miqësisë, mbështet Komandantin e Ushtrisë së Libisë, Khalifa Haftar.

Nga ana tjetër, fronti OKB-SHBA-Turqi, mbështet qeverinë e Fayez al-Sarraj.

Ky forum, mund të jetë një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj çështjes së Libisë, mesazh, i cili përcjell unitetin e këtyre vendeve, për çështje të caktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore