Lajme

Forcat ruse sulmojnë portin ukrainas disa orë pas marrëveshjes për eksportin e grurit


Shpërthimet kanë tronditur një port kyç të Ukrainës vetëm një ditë pasi Kievi dhe Moska arritën një marrëveshje historike për të lejuar rifillimin e eksporteve të grurit.

Dy raketa goditën qytetin port të Odesës në orët e para të mëngjesit të së shtunës, njoftoi ushtria e Ukrainës.

Sipas kushteve të marrëveshjes së së premtes, Rusia ra dakord të mos sulmonte portet ndërsa dërgesat e grurit janë në tranzit.

OKB e kishte përshkruar marrëveshjen si “një fener shprese” pas disa muajsh konflikti.

Në një postim në mediat sociale, qendra e komandës jugore të ushtrisë ukrainase tha se dy raketa Kalibr goditën portin, ndërsa dy të tjera u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Oleksiy Honcharenko, një deputet lokal, shkroi në Telegram se porti i qytetit kishte marrë flakë pas sulmit.

“Këta të poshtër nënshkruajnë kontrata me njërën dorë dhe me tjetrën drejtojnë raketa”, shkroi Honcharenko.

“Pra, ne kemi nevojë për avionë dhe duhet të fundosim të gjithë flotën e Detit të Zi të Federatës Ruse. Kjo do të jetë aranzhimi më i mirë për eksportin e drithit”.

Nuk dihet nëse ka viktima apo dëme të konsiderueshme.

Të premten, zyrtarët nga Kievi dhe Moska nënshkruan një marrëveshje për të lejuar eksportimin e miliona tonëve drithë të bllokuar në Ukrainë.

Sipas diplomatëve, midis marrëveshjeve të arritura, Rusia ra dakord të mos sulmonte portet ndërsa dërgesat janë në tranzit dhe Ukraina premtoi të udhëzojë anijet e mallrave nëpër ujërat e minuara.

Marrëveshja – e cila u desh dy muaj për t’u arritur – do të zgjasë për 120 ditë, me një qendër koordinimi dhe monitorimi që do të krijohet në Stamboll, me staf nga zyrtarë të OKB-së, turq, rusë dhe ukrainas. Mund të rinovohet nëse të dyja palët bien dakord.

Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin dhe akuzoi Rusinë se “krijon sistematikisht një krizë ushqimore”.

“Raketa ruse është pështyma e Vladimir Putinit në fytyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan, të cilët bënë përpjekje të mëdha për të arritur një marrëveshje dhe të cilëve Ukraina u është mirënjohëse”, shtoi Oleh Nikolenko, një zëdhënës për ministrinë e Jashtme të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore