Shqipëria

Finalizohen dy operacione policore në Tiranë, në total 6 të arrestuar


Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, ka folur për finalizimin e dy operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe të vjedhjes së pronës.

Gjatë dy operacioneve u evidentua një vilë e përshtatur për kultivim kanabisi, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit cannabis sativa me vlerë rreth 100 mijë euro, u sekuestruan 3 armë zjarri, municion luftarak, 1 granatë, si dhe u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës.

Për finalizimin e operacionit të parë policor të koduar “Shtëpia jeshile”, strukturat e Policisë kanë përdorur edhe një mjet inteligjent dron.

Gjatë tij u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë në fushën e kultivimit të kanabisit, me anë të llambave, dhe të tregtimit të tij, në qytetin e Tiranës.

Si rezultat i hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe lokalizimi i ambienteve që ishin përgatitur për të kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis.

Në të u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 29 vjeç, banues në Tiranë; A. M., 44 vjeç, banues ne fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë dhe G. M., 26 vjeç, banues në fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A. M., në Mallkuç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 61 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e paketuar gati për shitje, me vlerë rreth 100 mijë euro.

Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan pajisje të ndryshme që shërbejnë për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, si: llamba, aspiratorë, ventilatorë, filtra ajrimi etj, një shotgun, municion luftarak, shuma parash, 2 automjete dhe 3 aparate celulare.

Sakaq, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se tre të arrestuarit, pasi kultivonin kanabis në banesën e shtetasit A. M., e paketonin dhe më pas e shisnin atë.

Kurse në operacionin e dytë të koduar “Trinomi”, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, gjatë vitit 2022 dhe dy muajve të parë të vitit 2023.

Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga tre shtetas, dy prej tyre të dënuar më parë për vjedhje, si dhe u sekuestruan sendet e vjedhura.

Po gjatë këtij operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u sekuestruan 2 armë zjarri dhe municion luftarak.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit: E. T., 21 vjeç dhe E. Q., 28 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje, dhe E. M., 32 vjeç, të tre banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji qeshor i vitit 2022 deri në muajin shkurt të vitit 2023, kanë kryer vjedhje në banesa të ndryshme, në rrethin e Kavajës, kryesisht në banesat e emigrantëve.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 24 rasteve të vjedhjeve në banesa, ku kanë marrë sende me vlerë, orendi, vegla pune dhe pajisje të tjera elektroshtëpiake.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit E. T. dhe E. Q. bashkëpunonin me shtetasin E. M., për të realizuar vjedhjet dhe për të nxjerrë përfitime prej tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore