Shqipëria

Fieri do të zgjedhë mes 3 alternativave, apo për një mandat të 3-të?


Fieri – kësaj here mes tre alternativave – duhet të bëjë një zgjedhje ‘të vështirë’.

Dilema është, a duhet t’i japë një mandat të tretë kryetarit aktual të bashkisë apo të vendosë në krye të saj një personazh të ri.

Armando Subashi pretendon mandatin e tretë. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit, gjykon se e ka gjithë të drejtën morale për t’u kërkuar sërish votën bashkëqytetarëve të tij.

Ka edhe një detaj. Një vit më parë, ai është marrë në pyetje nga SPAK-u për rolin e tij si ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Asokohe ai ka deklaruar se me biznesmenët Mirel Mërtirin, Stela Gugallen apo Klodian Zoton, është takuar dy ose tri herë për çështje teknike.

Ndërkaq, përballë tij janë dy kundërshtarë të djathtë.

Nën sloganin “Bashkë Fitojmë” është Evdar Kodheli – i licensuar si kontabilist, auditues dhe ekspert fiskal – i cili prej vitit 2005 drejton studion e tij private.

E po të njëjtës fushë, Kontabilitet-Financë, është edhe Eriselda Çelaj, e përzgjedhura e Enkelejd Alibeajt.

Ajo ka qenë prej vitit 2003 pjesë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe më pas si anëtare e Lidhjes Demokratike të Gruas, e deri me sot ne pozicionin e Kryetares se Grupseksionit dhe Anëtare e Kryesisë së Degës.

Por çfarë ofrojnë 3 kandidatët në garën për Bashkinë Fier?

Armando Subashi: Bujqësia dhe turizmi në fokus

Me argumentin se Fieri thuajse ka ndryshuar gjithçka, Subashi synon të marrë mandatin e tretë.

“Një sërë punësh kolosale në çdo cep të bashkisë na jep të drejtën morale të pretendojmë mandatin e tretë”, thotë ai.

Ndërkohë, në këtë fushatë të re, programi i tij elektoral mbështetet në dy shtylla kyçe: bujqësinë dhe turizmin.

Ai ka premtuar se do të vazhdojë rritja e ritmit të punës për pastrimin e kanaleve kulluese-vaditëse, sepse ka qenë një proces që ka dhënë një rezultat të mirë në territor. “Është një punë që, nëse nuk e bën bashkia, fermeri vet nuk e bën dot pasi do të ishte një punë e shkuar dëm”.

Subashi synon që këtë vit të blihen edhe dy eskavatorë të tjerë për të rritur numrin dhe për të rritur intensitetin e punës në territor, qoftë për pastrimin e kanaleve kulluese qoftë për ato vaditëse.

Me këtë, ai pretendon që këtë verë bashkia të rrisë sipërfaqet që do të vaditen për të garantuar kullimin në kohë të tokës në periudhën e dimrit dhe vaditjen në verë.

Si një tjetër element të rëndësishëm në bujqësi, ai sheh rikonstruksionin e rrugëve rurale dhe rrugëve të parcelave.

Rrugët rurale, sipas tij, kanë një rëndësi dyfish sepse nëse shtrohet një rrugë apo shesh pallati në qytet, kjo i shërben thjesht rritjes së cilësisë së jetës në atë zonë. Por nëse kjo realizohet në fshat, rëndësia është dyfish pasi përveç rritjes së cilësisë së jetës për banorët e atij fshati, kjo ka edhe një rëndësi tjetër sepse krijon mundësitë për nxitjen dhe shitjen e produkteve bujqësore.

Në optikën e tij, bërja apo rikonstruksioni i rrugëve të tilla krijon premisat që edhe tregtarët të nxiten, por edhe shitja e prodhimeve bujqësore të shtohet.

Kurse turizmin, Subashi e gjykon si një nga degët e munguara në Fier. “Jo se Fieri nuk ka mundësi për zhvillimin e turizmit, përkundrazi. Ka një vijë bregdetare prej afro 27 kilometrash nga Divjaka deri në grykëderdhje të Vjosës. Por e gjitha është e virgjër”.

Kjo, për kandidatin socialist, jep mundësinë që të krijohet një “masterplan” për gjithçka të mirëmenduar dhe për të mos bërë gabimet që janë bërë në të gjithë bregdetin shqiptar.

Bregdetin e Fierit ai e konsideron si një aset fantastik që nëpërmjet një masterplani dhe përmes investimeve që kërkon t’i nxisim gjatë katërvjeçarit synon të hapë një dritare të re për pjesën e investimeve, rritjen e punësimit dhe për rritjen e të ardhurave të të gjithë sektorit.

Por Fieri ka edhe asete që përfshihen në turizmin arkeologjik, kulturor apo fetar.

“Njihet Apolonia, por është edhe Gurëzeza në Cakran, Bylisi në Mallakastër, janë edhe një sërë kishash dhe manastiresh të vjetra deri në 400-vjeçare që duke u bashkuar të gjitha bashkë dhe duke krijuar një paketë të vetme turistike, do ta bëjnë Fierin mjaft atraktiv në këtë drejtim”.

Sakaq, Subashi ka theksuar se ekipi tij ka një sërë projektesh në infrastrukturë për t’i lidhur këto.

Ndër to, projektin nga Manastiri i Ardenicës drejt Kishës së Libofshës dhe mandej drejt Manastirit të Shën Kozmait, si “një itinerar shumë i rëndësishëm i turizmit kulturor dhe fetar”.

Evdar Kodheli: Fieri në shërbim të qytetarëve

Për Kodhelin Fieri nuk duhet të jetë bashki e fasadave, por e kujdesit “në çdo qelizë të saj”, duke e kthyer bashkinë në shërbim të qytetarëve.

I kontaktuar nga Albanian Post, ai tregon për programe dhe zyra konsultuese dhe specialistë të aftë në çdo sektor të ekonomisë, veçanërisht për fermerët dhe bizneset e reja.

Sipas tij, taksat duhet të vendosen nga specialistët në shërbim të bizneseve, “jo në zhvatje pa kthim, por në shërbime pastrimi e gjelbërimi”.

Ai gjykon se Fieri mund të bëhet një qytet modern, evropian, me parqe, rrugë, kinema, mensa publike për njerëzit në nevojë, me gjelbërim, shkolla, çerdhe, kopshte, “vetëm nëse Fieri vendoset i pari”.

Kandidati u premton qytetarëve të Fierit ujë të pijshëm në çdo njësi administrative deri sa të finalizohen kanalizimet e ujërave të zeza.

Në programin e tij zë vend ofrimi i transportit publik falas në njësitë administrative për nxënësit në mënyrë që të arsimohen dhe njerëzve në nevojë për plotësim të nevojave jetësore.

Por pa lënë jashtë edhe vëmendjen ndaj zonave turistike që janë “një thesar jo vetëm për qytetin”. Ai thekson se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë zhvillimit të turizmit veror bregdetar.

Ky i fundit, sipas Kodhelit, deri më tani zhvillohet pa kujdesin e duhur.

Sa i përket shërbimeve sociale, ai ka në vëmendje integrimin në jetën qytetare të njerëzve në nevojë dhe atyre me aftësi të veçanta.

Pa neglizhuar komunitetet dhe pakicat, që sipas tij, janë totalisht jashtë vëmendjes. Në këtë rast, Kodheli flet për programe informuese për t’i bindur për arsimim dhe përfshirje në jetën qytetare.

Ai planifikon ngritjen e qendrës për njerëzit në nevojë për të mos lënë “asnjë banor pa një vakt”, nëpërmjet mensave publike.

Gjithashtu shtimin e kapaciteteve te qendra për fëmijët me aftësi të veçanta. Ai mendon se brenda katërvjeçarit do të ngrejë dy qendra të reja.

Në sferën sportive, Kodheli programon të promovojë klubin shumë-sportësh Apollonia, si ekipet e femrave të volejbollit, basketbollit, ekipet  e moshave të futbollit, ekipin e çiklizmit, ekipin e boksit dhe sporte te tjera.

Këto sporte, për të, kanë qenë krenaria e qytetit. E ndërsa sot, janë lënë në harresë nga Bashkia Fier.

Eriselda Çelaj: Biznesi i pari

Çelaj, siç mund të paramendohej prej formimit të saj në fushën e financave, ka prioritet biznesin.

Në optikën e saj, nuk mund të ketë zhvillim pa biznes të fuqishëm në qytet sepse biznesi I vogël dhe sipërmarrja janë motori i zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë lokale. Veçanërisht për qytetin e Fierit.

Premtimi i saj për qytetarët fierakë është angazhimi për të krijuar mjedise të favorshme për zhvillimin e biznesit të vogël.

“Sipërmarrja do ta ketë bashkinë partnere, jo kundër interesit apo si një mënyrë për ta goditur biznesin dhe për të frenuar zhvillimin e tij”, ka thënë ajo.

Dhe këtë ka programuar ta garantojë përmes taksave më të ulëta.

Po ashtu edhe nëpërmjet shmangies së kontrolleve abuzive, përmes sistemeve të taksave dhe tarifimi të favorshëm dhe të sistemit transparent të apelimit.

Por përpos biznesit, një tjetër prioritet në programin e saj për këtë garë janë edhe të rinjtë.

Çelaj synon t’i mbajë të rinjtë në qytetin e Fierit duke i bërë pjesë të administratës publike si të punësuar në çdo institucion të bashkisë, në çdo kontratë që do të lidhi bashkia me operatorë të ndryshëm, ku do të jetë si kusht punësimi i një të riu.

Gjithashtu planifikon taksa zero për të gjithë të rinjtë që do të hapin biznes në qytetin e Fierit.

Sakaq, një vend zë edhe turizmi, i cili me vijën bregdetare “të pashfrytëzuar”, Meriton investim për ta kthyer në elitar.

Për sa i përket sektorit të bujqësisë, ajo thekson se do të angazhohet për ta mbështetur fermerin duke lehtësuar marrjen e mikrokredive dhe me asistencë për lehtësimin e procedurave për aplikim në fondet e programeve kombëtare.

Kurse për arsimin, në programin e saj synohet restaurimi i ndërtesave të institucioneve arsimore aktuale për të garantuar kushte bashkëkohore, si dhe ndërtimi i çerdheve të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore