Shqipëria

Favorizonte blegtorët për të marrë subvencione – Arrestohet në Korçë inspektori i AZHBR-së


Policia e Korçës ka arrestuar dy persona me akuzën e korrupsionit nga personat që ushtrojnë funksione publike.

Sipas njoftimit nga autoritetet, shtetasi A. P., 35 vjeç, pranoi ryshfet për të favorizuar një blegtor, që të përfitonte në mënyrë të parregullt një sasi më të madhe parash nga subvencionet.

Gjithashtu në pranga ka rënë edhe blegtori që ofroi ryshfet, shtetasi Sh. Z., 38 vjeç, banues në Ersekë.

Është sekuestruar edhe një shumë parash që u pranua si ryshfet.

Arrestimi i shtetasve u bë në flagrancë në momentin kur shtetasi Sh. Z., përfitues i subvencionit për bagëtitë, po i ofronte ryshfet (90 mijë lekë), inspektorit të AZHBR-së, shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, me qëllim që Sh. Z. të përfitonte në mënyrë të parregullt, nga skema mbështetëse, shumën 1 milion lekë.

Sipas Policisë, inspektori duke shfrytëzuar detyrën, ka favorizuar edhe disa fermerë të tjerë, që të përfitonin nga skema e subvencioneve mbështetëse, shuma më të mëdha monetare, në kundërshtim me ligjin, duke iu kërkuar atyre ryshfet nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. P., shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale 90 mijë lekë, që dyshohet se i ka pranuar si ryshfet nga 38-vjeçari.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore