Shqipëria

Fatalitetet mes “vetëgjyqësisë” dhe mos-zbatimit të rregullave rrugore


Në pesë muajt e parë të vitit 2021, plot 547 aksidente rrugore kanë ndodhur në Shqipëri, ndryshe nga gjashtë muajt e parë të vitit 2020, ku u regjistruan 505 aksidente, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT).

Ndërsa ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, gjatë një konference për media, më 28 qershor, deklaroi se numri i vdekjeve ka rënë. Sipas tij, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, numri i vdekjeve në rrugë ka qenë 130, kurse në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021 ka qenë 102.

Në qershor të këtij viti, një drejtues mjeti 20-vjeçar, aksidentoi për vdekje katër pjesëtarë të një familjeje në aksin rrugor Fier- Vlorë.

Pak ditë më vonë, katër shtetas mbetën të vrarë si pasojë e një konflikti për ndarjen e territorit të rërës, në plazhin e Velipojës.

Pasojat te publiku

Mes ankthit, panikut dhe stresit, aksidentet dhe konfliktet ndikojnë mbi sjelljen njerëzore në vend.

Këtë e konfirmon për Albanian Post (AP), psikologja Lorela Garuli, e cila thekson se këto raste, jo gjithmonë shërbejnë si ndërgjegjësim. Madje, shpeshherë nuk ndihmojnë fare.

Ndonëse ndërgjegjësimi mbetet një nga hapat “më të rëndësishëm që duhet”, rrjedhimisht sipas ekspertes ligjore, është edhe “më i vështirë”.

Ajo shpjegon më tej se ndërgjegjësimi duhet të targetojë të gjitha shtresat e shoqërisë, të cilat nuk mundet vetëm të frikësohen me masa dënimi, por duhet të kuptojnë shkallën e plotë të pasojave që sjellin veprimet e tyre.

Sipas analistit Frrok Çupi, “ne jemi të ndjeshëm nga lajmi dhe nga dhimbja, por nuk jemi të ndjeshëm ndaj rregullave dhe ndaj ligjit” që parandalon ngjarjen, tragjedinë.

Çupi shton më tej se publiku tronditet por nuk bën krime si “opinion publik”. Krimet, sipas tij, i bëjnë individët, të cilët “janë të pandjeshëm ndaj këtyre krimeve”.

Legjislacion i cungët?

Sipas ministrit Çuçi, fajin për këto shkelje të rregullave nuk e ka legjislacioni shqiptar, por zbatimi i ligjit. Ndonëse e ka cilësuar legjislacionin shqiptar si “ndër më të ashprit në Evropë.

Këtë cilësim e konfirmon dhe ekspertja ligjore, Isabela Tafili, ndërsa thotë se, masat e dënimit që parashikon aktualisht ligji, janë “mjaft të ashpra”.

“Një rritje e nivelit të dënimit nuk do të kishte asnjë efekt sa i përket uljes së numrit të këtyre fenomeneve”, tha ajo për AP-në.

Po ashtu, edhe Tafili e sheh problemin në mënyrën se si veprojnë agjencitë ligj-zbatuese.

Ajo përfshin në fjalën e saj, zbatimin e masave parandaluese, ku në rastin e aksidenteve, është te kontrolli efektiv që kryhet mbi shoferet që tejkalojnë shpejtësinë përpara se të shkaktojnë aksident, apo sa ndërhyjnë strukturat lokale shtetërore në zgjidhjen e konflikteve përpara se ato “të agravojnë”.

“Shteti ka në dorë të zbatojë ligjin”, thotë po ashtu Çupi.

“Ka ligje po nuk respektohen. Ai djali që mori jetën e katër familjarëve, kishte kaluar 22 pika kontrolli policie me të njëjtën shpejtësi dhe nuk është ndaluar”, tha ai duke shtuar se nuk pajtohet me thirrjet e njerëzve, për të shtuar vitet e burgut apo të rikthejnë dënimin me vdekje.

“Nëse kanë humbur jetën katër veta nuk mund të kërkojmë të humbin jetën edhe tre të tjerë”, nënvizoi ai.

Niveli i shoqërisë shqiptare

Sipas psikologes Garuli, në Shqipëri “kemi një lloj ekstremizimi të shtresave të caktuara”, trajtuar kjo në aspektin socio-kulturor.

“Kemi shtresa shumë te ulëta, të varfra, shumë të shtypura psikologjikisht”, tha ndër të tjera psikologja.

Të njëjtin mendim ndan dhe analisti Çupi, i cili shtoi se “jemi një shoqëri akoma e dobët”.

“Në formim dhe baza e shoqërisë, është pikërisht edukimi i njerëzve”.

Psikologja vijon më tej me “shtresën e individëve që janë pasuruar shpejt me elementë mafioze”.

Nga ana tjetër, Çupi e cilëson si “katastrofë për shoqërinë”, mundësinë e shmangies nga dënimi “meqenëse je fëmija i një biznesmeni”.

Sipas tij, është e domosdoshme që të jenë të gjithë të barabartë para ligjit.

Faktorët që sjellin rritje të konflikteve

Për AP-në, Garuli shpjegoi faktorët që çojnë në konflikte me viktima.

“Faktori socio-kulturor i psikologjisë së grupit apo psikologjisë masive, është thelbësor. Mungesa e besimit që kane njerëzit se shteti mund të zgjidhë probleme”, tha psikologja.

Garuli u ndal te “logjika e vetëgjyqësisë”, pra, rasti kur dikush merr përsipër të zgjidh vetë diçka, për të cilën nuk ka besim te shteti.

Në të njëjtën mënyrë e shpjegon dhe Çupi, i cili thotë se “individët vijnë nga fiset” dhe vazhdon të jetojë pushteti i fisit, jo thjesht si forcë por edhe si mentalitet.

“Sidomos në rastin e Shkodrës atje janë gjakrat e fisit, të nderit e moralit”.

Ndërsa psikologja shpjegon se impulsiviteti, nxitimi, nevoja për të pasur të drejtë dhe për ta zgjidhur aty për aty dhe jo dialogu, çon në përballje fatale dhe të ashpra.

Hapat e mëtejshëm

“Na duhet edukim në shoqërinë tonë, mbi të gjitha edukim dhe shtet. Kam përshtypjen se edukimi është dobësuar shumë. Familjet merren shumë pak me edukimin e fëmijëve, rreth privatësisë, ligjit”, tha Çupi.

Ai u shpreh me bindje se “mund të jemi të sigurte që do të kemi sërish krime të tilla për sa kohë jemi njerëz me interesa e mungesa edukimi”.

Tafili, si eksperte ligjore, kërkon “zbatueshmëri me më shume rigorozitet” të masave administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërsa për konfliktet që përfundojnë me viktima, “policia lokale duhet të ndërmarrë një rol më proaktiv në zbulimin e konflikteve sa më shpejt dhe tentativa, që palët të mos përfundojnë në përplasje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore