Lajme

“Etja” për naftë lë të vrarë 20 libanezë


Të paktën 20 persona kanë mbetur të vdekur dhe 79 të tjerë janë plagosur në një shpërthim që ka ndodhur pranë një cisterne me naftë në qytetin libanez të Tlayl in Akkar.

Sipas raportimeve, mungesa e naftës ka shtyrë qindra njerëz t’i drejtohen kësaj cisterne të sapo zbuluar në periferi të qytetit nga Grupi Revolucionar i Akkar-it. ky zbulim, ka shtyrë banorët e zonës t’i drejtohen vendit për të përftuar sasi nafte.

Kryqi i Kuq në Liban, ka konfirmuar se Ushtria ka qenë e pranishme pranë cisternës, për të qetësuar situatën. Mirëpo, në orët e vona, kur efektivët janë larguar, njerëzit janë turrur menjëherë pranë saj, për të mbushur sërish naftë.

Në një çast, një prej të pranishme ka ndezur një çakmak, duke shkaktuar kështu shpërthimin vrastar. Raportime nga policia apo ushtria ende mungojnë. Përpos saj, shpërthimin e ka konfirmuar vetë kryebashkiaku i qytetit.

Ekipet e emergjencave janë dërguar menjëherë në vendngjarje. E gjithë zona po kërkohet për viktima të tjera, pas dyshimeve se mund të ketë trupa ende të pa lokalizuar.

Grupi revolucionar i ka quajtur viktimat “martirë” dhe ka ngushëlluar familjarët e tyre dhe personave të plagosur. Ndërsa, qytetarët, nisën një protestë të dhunshme, ku raportohet nga mediat vendase se ka pasur përleshje me ushtrinë.

Kërcënime ka pasur ndaj pronarit të cisternës së fshehur. Protestuesit, kanë brohoritur se do t’i digjnin atij shtëpinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore