Shqipëria

Escobar: Një Evropë e lirë dhe në paqe nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor


“Një Evropë e lirë dhe në paqe nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor”.

Kjo do të ishte deklarata që i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës pas Dialogut Strategjik SHBA-Maqedonia e Veriut.

Escobar shprehu mbështetjen amerikane për fillimin e konferencave ndërqeveritare me BE-në për Shkupin dhe Tiranën.

Ai tha se shpreson që të tejkalohet me kompromis bllokimi që ka paraqitur Bullgaria.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit shprehu shpresën që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, të cilët “janë aleatë të mirë dhe anëtarë me vlera të NATO-s”, të gjejnë një zgjidhje përmes kompromisit, dialogut dhe negociatave të vullnetit të mirë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e përshpejtimit të integrimit të Ukrainës në BE, Escobar tha se si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, është i përqendruar në këtë rajon.

“Mendoj se janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që kanë radhën për të filluar procesin e Konferencave Ndërqeveritare”, shtoi ai.

Sipas Escobar, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të madhe nga ana ekonomike dhe tregtare.

“Ballkani Perëndimor është pjesa e Evropës me rritjen më të shpejtë. Ka potencialin të jetë një udhëheqës rajonal për Energjinë e ripërtëritshme, për Gazin Natyror të Lëngshëm, për transportin, për teknologjinë dhe pothuajse për çdo gjë tjetër në rajon”, tha ai.

Për këtë arsye, ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin çdo nismë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore