Lajme

E moshuara largohet nga qendra ku u keqtrajtua, familjari tregon se ajo vuan nga alzheimeri


Dhëndri i të moshuares e cila u keqtrajtua nga infermieret në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”, Ezen Vala, ka thënë se të moshuarën po e tërheqin sot nga shtëpia, duke shtuar se krejt kjo ka ardhur pas publikimit të videos.

Ai ka thënë se e moshuara vuan nga alzheimeri dhe nuk ka treguar ndonjëherë që është keqtrajtuar.

“Minirja është banore e kësaj qendre qe një vit. Me publikimin e një videoje në rrjetet sociale jemi shqetësuar të gjithë. Kemi ardhur menjëherë me e tërheq nga shtëpia. Banorin e tërheqim për shkak të asaj qe e kemi parë në video. Ajo është nënë e një dëshmori. Nuk kemi pasur ndonjëherë vërejtje për sjellje të keqe. Ne nuk dimë që diçka ka ndodhur. Fatkeqësia është që zonja vuan nga alzheimeri. Sot është mirë por rasti ka ndodhur para 4 ditëve. Ne presim që hetuesia të zbulojë më shumë”, ka thënë ai.

Familjari i të moshuares ka bërë të ditur se 650 euro është shuma që ka paguar familja për çdo muaj për këtë pakujdesje.

“Rasti që pamë nuk mund të jetë i vetmi”, ministrja kërkon bashkëpunim pas dhunës ndaj të moshuarës në Pejë

Sjellja abuzuese, ndaj një të moshuare në Pejë e ka tronditur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kështu të paktën është shprehur ajo përmes një reagimi në rrjetin e saj social në Facebook, pas rastit të dhunimit të moshuares në ambientet e Shtëpisë për të Moshuar në qytetin e Pejës, nga një punonjëse në këtë institucion.

Sipas saj në këto momente institucionet përgjegjëse, policia dhe prokuroria janë duke e bërë punën e tyre dhe disa nga personat e dyshuar janë arrestuar.

Abuzimi në mënyrë çnjerëzore i moshuares, sipas Haxhiut nuk mund të jetë i vetmi rast.

“Prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen. Gjithashtu, menaxhmenti duhet të jap llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente”, ka shkruar Haxhiu.

Reagimet pas sulmit në Pejë: “Gjest i poshtër, i ulët e barbar”

Dhunimi i moshuares në ambientet e Shtëpisë për të Moshuar në qytetin e Pejës, nga një punonjëse e ka shokuar opinionin kosovar.

Abuzimi dhe dhuna e ushtruar në të moshuaren sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, është krim i rëndë i cili shpërfaq anën më të errët njerëzor dhe ngrit alarmin për mbikëqyre dhe kontroll strikt të këtyre institucioneve private.

“Përveç masave të marra tashmë nga Polica e Kosovës ndaj personave që ushtruan dhunë, duhet të inicohet hetim i menjëhershëm nga organet përgjegjëse për abuzimet tjera të mundshme që mund të kenë ndodhë në këtë shtëpi”, ka shkruar Kusari-Lila në rrjetin e saj social në Facebook.

“Veprimet e menjëhershme nga të gjitha institucionet e linjës janë të domosdoshme, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës në rishikimin e legjislacionit i cili rregullon veprimtarinë në fjalë”.

I shokuar e i tronditur ka mbetur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, pas rastit të dhunimit të moshuares në ambientet e Shtëpisë për të Moshuar në qytetin e Pejës, nga një punonjëse në këtë institucion.

Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, për Abdixhikun duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot.

“Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtë. Dhuna është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.

Dhunuesja është kriminele 

Për anëtaren e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku motra kujdestare e cila në mënyrë të pamëshirshme godet një të moshuare është kriminele.

“Nuk pata forcë me e shiku deri në fund videon në të cilën disa infermiere e sulmonin fizikisht dhe e maltretonin psiqikisht një grua të moshuar në Pejë”, ka shkruar Çitaku në rrjetin e saj social në Facebook.

“Emrat e tyre duhet të publikohen. Tu merret e drejta e punës në institucione shëndetësore, si dhe të ndiqen penalisht”, ka shtuar ajo.

E tmerruar nga ky akt barbar ka mbetur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Ajo e mllefosur pasi ka parë pamjet që po qarkullon në medie, ka bërë thirrje organeve të rendit që të merren urgjentisht me rastin.

“Aty po aq fajtore janë ato tjerat që qeshin derisa kolegia e tyre është në aksion. Gjest i poshtër, i ulët dhe barabar”, ka shkruar Bajrami në rrjetin e saj social në Facebook.

Sipas saj të sëmurët mentalisht nuk duhet të lejohen të shërbejnë/punojnë në asnjë institucion, qoftë ai privat apo publik.

“I kërkoj falje zonjës së moshuar që po jeton në këtë kohë të pakohë dhe i uroj rehabilitim sa më të shpejtë”, ka shtuar ajo.

Si të frikshme e të tmerrshme e ka cilësuar dhunën e shpërfaqur ndaj një gruaje në moshë deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

“Të gjitha vajzat qe ishin prezente në momentet kur është ushtruar dhunë duhet të përgjigjen para drejtësisë. Institucionet të marrin masa për të vënë drejtësi ndaj këtij rasti të turpshëm”.

Ndryshe Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka njoftuar për Albanian Post, se është arrestuar vajza që ka dhunuar të moshuarën në shtëpinë e pëlqeve “Orenda” në këtë qytet.

Pos saj, është arrestuar edhe një person tjetër – motra kujdestare në këtë shtëpi.

“Po mund të ju konfirmoj se i kemi sjellur në stacionin policor këtu në Pejë. Përveç vajzës që ka ushtruar dhunë është arrestuar edhe motra kujdestare që ka qenë në shtëpinë e Pleqve”, ka thënë Gashi.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, deklaroi për Albanian Post, se rasti veçse është procedura nga policia në Pejë.

Edhe Prokuroria e Pejës ka konfirmuar për Albanian Post se ka nisur hetimet lidhur me rastin.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Me të marrë informacionin dhe me të parë videon prokuroria në Pejë ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe njësitë relevante, dhe janë duke shkuar në vendin ku po dyshohet se është kryer vepra penale”, tha ai për AP.

Në një shtëpi të pleqve në Pejë, është ushtruar dhunë fizike ndaj një të moshuare nga një anëtarë e stafit gjatë ditës së mërkurë.

“Kuku”, bërtet një e moshuar e cila është zënë peng nga një vajzë – që nga veshja duket se është punonjëse e institucionit për të moshuar.

Por britmat janë krejtësisht të kota sepse e reja pamëshirshëm vazhdon ta godas. “Çka po sillka more”, thotë një tjetër vajzë që xhironte dhunën që po ushtrohej brutalisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore