Lajme

Dy zyrtarët e VV-së dalin para gjykatës, e kanosën gjyqtarin e prokurorin për lirimin e Pantiç-it


Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ish-asamblisti i kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë të enjten për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Në aktakuzë thuhet se me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu.

“Ashtu që i pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzën e ngritur janë të përfshirë edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilët po akuzohen për “kanosje”.

Të njëjtit po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

Sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

“Ashtu që i pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja leshu që mos me i mbet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehurti Zenalaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyllë e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet tutje në aktakuzë.

Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiç, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

Manxhuka dhe Azemi, kishin kritikuar Gjykatën për lirimin e Pantiç-it. Më 28 dhjetor të 2022, zëdhënësi për media në Lëvizje Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar për ndërrimin e masës së paraburgimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiç në arrest shtëpiak duke thënë se “ky aktlirim është akt tradhtie”.

Më 20 tetor, ish-polici i Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohej për sulme terroriste, në zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte liruar edhe nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore