Lajme

“Duam punë, jo lëmoshë”, ish-punëtorët e Lotarisë së Kosovës në protestë


Protesta e ish-punetorevete Lotarise se Kosoves

Në protesta dalin pak në numër e nuk bëjnë fare zhurmë.

Në pankartat të cilat i mbajnë në duar kanë të shkruara kërkesat kryesore që kanë, por prapë pa zë.

Ka disa herë që dalin për të kërkuar të drejtat e tyre, por qeveritarët as nuk ua kanë vënë veshin.

Ish punëtorët e lotarisë së Kosovës duan të rikthehen në punë, duan të punojnë e të paguhen për punën që bëjnë.

“Kërkesat tona tashmë dihen, i dinë edhe këta qeveritarët”, tha për medie, Bashkim Sherifi një na ish-punëtorët e Lotarisë së Kosovës.

“Ne thjeshtë po duam punë, nuk po kërkojmë lëmoshë, por punë. Këta po shujnë nuk po bëjnë zë dhe nuk po e dimë qëllimin e tyre”.

“Duam të kthehemi në punë, jemi pa rroga qe tre vjet. Thjeshtë me na leju me punu”, vazhdoi më tej Sherifi.

Qeveritarët e rinj, që kur kanë marrë mandatin asnjëherë nuk i kanë takuar.

“As një përgjigje nuk kemi marrë, sidomos nga kjo qeveri, as takime as premtime asgjë, totalisht injorantë, të pa përgjegjshëm. Qeveritë e kaluara bile na pritnin në takime, këta as njëherë hiq. Ne jemi pjesë e këtij shteti, si popull, nuk merren fare”, shprehet Sherifi.

Të lodhur nga kjo neglizhencë, Sherifi thotë se do të ndërrojnë strategji të protestës.

“Do të ndërrojmë strategji, mos të protestojmë më kështu të qetë, por do të vendosim një tendë, prapë në mënyrë paqësore, se na nuk dimë ndryshe të gjithë jemi punëtor të vjetër e me përvojë”.

“Nuk po dimë më çka të bëjmë. Qe 3 vjet pa punë, pa rrogë si të mbijetojmë”, shprehet Sherifi i pashpresë.

Qeveria e Kosovës është aksionare kryesore në Lotarinë e Kosovës, ndërsa mbikëqyrëse është Ministria e Financave.

Kur Qeveria Haradinaj vendosi mbylljen e lojërave të fatit, në këtë vendim u përfshi edhe Lotaria e Kosovës, e që më vonë doli se ishte një vendim i pa menduar mirë.

Më vonë në Qeverinë Kurti, ua ka ndarë ka një pjesë të pagës, duke i ndarë 40 mijë euro në total për 62 punëtorë të Lotarisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore