Lajme

Dodik si Millosheviçi: “Një ditë do të marrim 49 për qind të territorit të BeH-së”


Milorad Dodik

Anëtari serb i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka deklaruar se “Republika Srpska” në BeH, një ditë do të shkëputet nga territori i BeH-së.

“Një ditë do të marrim 49 për qind të territorit të BeH-së. Besoj në idealin e një ‘Republika Srpska’ të pavarur”, ka theksuar ai, transmeton “Index Hr”.

Në një fjalim para mbështetësve të tij, të cilët sollën në tubim pankarta nacionaliste, Dodik përsëriti edhe njëherë pretendimet për rikthimin e të gjitha pushteteve që janë transferuar më parë nga entiteti në nivel shtetëror, përndryshe “‘Republika Srpska’ do të nisë rrugën e shkëputjes nga BeH.

“Mbledhja e Dodikut të kujtonte në mënyrë të papërmbajtshme ‘mitingjet e së vërtetës’ të organizuara nga Slobodan Milloshevic në fund të viteve 1980, në prag të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në një përpjekje për të konsoliduar pushtetin e tij”, shkruan mediumi kroat.

Arsyeja kryesore e këtij tubimi është paqartësia se kush i fitoi zgjedhjet e 2 tetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në BeH (KQZ) ka bërë të ditura rezultatet për të gjitha nivelet e tjera të qeverisjes, por votat për Presidentin e ‘Republika Srpska’ janë ende duke u ri-numëruar për shkak të parregullsive të shumta të vërejtura gjatë procesit zgjedhor.

Po ashtu, vlen të përmendet se më gjashtë janar të këtij viti, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkura të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj liderit të serbëve të Bosnjës, sundimtarit ultranacionalist të  “Republika Srpska”, entitetit serb në Bosnje, që u krijua sipas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995.

Ndërsa aktualisht BeH po përballet me krizën e saj më të rëndë politike që nga vitet 1990, ShBA-të patën njoftuar se Dodik e ka përdorur pozitën e tij për të grumbulluar pasuri përmes një sistemi patronazhi dhe ryshfetesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore