Lajme

Dodik nga Beogradi: I thashë Vuçiç-it se po mendojmë për pavarësi


Aleksander Vucic dhe Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, është shprehur këtë të premte se RS “po shqyrton seriozisht shkëputjen (nga BeH) nëse nuk respektohen të drejtat e saj kushtetuese”.

Këto komente Dodik i bëri pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Beograd.

“Ne duam të respektojmë kushtetutën e BeH, të respektojmë Marrëveshjen e Dejtonit, të respektojmë integritetin e BeH – në rregull, por respektojmë të drejtat që RS padyshim i janë dhënë në kushtetutë”, tha Dodik në një konferencë të përbashkët me Vuçiç-in.

Ndërkaq, ai pretendon se “angazhimi që po bëhet nga një pjesë e komunitetit politik perëndimor dhe Sarajevës politike”, sipas tij çon në “degradimin e pozitës së RS edhe më shumë”.

“Ne kemi arritur në një pikë ku nuk mund ta shtyjmë çështjen dhe mbrojtja jonë është se po shqyrtojmë seriozisht marrjen e një vendimi për pavarësinë dhe shkëputjen e Republika Srpska”, tha ai.

E, ndër të tjera ai shtoi se në takimin që kishte me presidentin serb, sic thotë ai e “njoftoi Vuçiç-in me problemet e brendshme që janë shumë të vështira në BeH”.

“Situata është e mbushur dhe e ngarkuar me kërkesa të vazhdueshme për të çmontuar pozicionin kushtetues të Republikës Srpska. Ata arritën kulmin me një kërkesë injorante, cinike dhe të vrazhdë për të ngritur pronën si problem në nivelin e BeH në mënyrë që ta zgjidhin atë”, pretendon Dodik.

Ndërsa, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “Serbia do të mbështesë atë që është rënë dakord nga vendet përbërëse të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Ai ka deklaruar se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit (1995) është “thelb i funksionimit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës Srpska”, duke shtuar se “Serbia do të mbështesë gjithmonë atë për të cilën bien dakord tre kombet përbërëse të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Presidenti Dodik më njohu me pikëpamjen e tij për situatën dhe marrëdhëniet në BiH, me përpjekjet e RS për të ruajtur të drejtat dhe detyrimet e saj nga Dejtoni. Në emër të Serbisë thashë se ne e konsiderojmë Marrëveshjen e Dejtonit si thelbin e funksionimit të BeH-së dhe natyrisht të RS-së”, tha Vuçiç.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë ka deklaruar se “retorika separatiste” e presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik, dhe kërcënimet e tij për tu shkëputur nga BeH, përfaqësojnë veprime anti-Dejton (1995), dhe e cilësuan atë si të “papërgjegjshëm, rrezikshëm dhe të dëmshëm për integrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në institucionet euroatlantike”.

Përmes një njoftimi zyrtar për media, ambasada amerikane theksoi se “sipas Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës, as entiteti dhe asnjë njësi tjetër administrative më e ulët nuk ka të drejtë të shkëputet, dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të shikojnë me qetësi nëse Millorad Dodik punon për të nxitur një konflikt të ri në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Siç kanë bërë për 30 vjet, Shtetet e Bashkuara do të ngrihen për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërkaq, veprimet e Dodik-ut, ata i konsideruar si një përpjekje për të shmangur vëmendjen  e qytetarëve nga problemet reale që e karakterizojnë Republikën Srpska.

“Fushata e vazhdueshme nga autoritetet për të hequr liritë themelore, dështimi për të zgjidhur problemin e rritjes së ushqimit, akomodimit dhe transportit, çmimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për të rënduar të ardhmen e hipotekës në Republika Srpska përmes huamarrjes së papërgjegjshme nga qeveria”, thuhet aty.

Kërcënimeve të Dodik-ut për të ndërprerë bashkëpunimin me NATO-n, Ambasada e Shteteve të Bashkuara i kujtoi Presidentit të RS se “Ligji për Mbrojtjen e vitit 2005 i detyron autoritetet shtetërore të kryejnë aktivitete të nevojshme për anëtarësimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në NATO”.

“Kjo përfshin mbajtjen e një partneriteti dhe bashkëpunimi të fortë me NATO-n. Milorad Dodik nuk ka autoritetin për të pezulluar ose ndryshuar në mënyrë të njëanshme këtë apo ndonjë ligj tjetër”, nënvizoi ambasada amerikane në BeH.

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkura të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të “Republika Srpska”, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore