Lajme

Do të vazhdojmë ta përkrahim FSK-në, thotë gjenerali amerikan


Bashkim Jashari dhe Andrew Rohling

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka pritur të mërkurën në takim zëvendëskomandantin e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, Andrew Rohling, me të cilin ka diskutuar për intensifikim të bashkëpunimit dhe zhvillimin profesional dhe taktik të FSK-së.

“Gjeneral Jashari, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm mes FSK dhe Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme, si në fushën e trajnimeve, po ashtu në projekte të ndryshme infrastrukturore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në fund të takimit, sipas njoftimit të ministrisë, gjenerali amerikan ka potencuar që Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë do të vazhdojë të jetë përkrahëse e FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve ushtarake dhe nderveprueshmerisë me forcat amerikane.

Në Kosovë këtë javë ka qëndruar për vizitë edhe senatori amerikan, Jack Reed, njëherësh kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-ve, i cili ka thënë se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të SHBA-ve.

SHBA-të e kishin përjashtuar Kosovën nga stërvitjet ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të moszbatimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për qetësimin e situatës në veriun e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore