Sport

Di Maria i ofrohet Barcelonës


Futbollisti argjentinas, Angel Di Maria, para pak ditësh u largua nga skuadra e Paris Saint Germain si futbollist i lirë pasi nuk vazhdoi kontratën me klubin francez.

Pas shtatë viteve në “Parc des Princes”, Di Maria tani duhet të mendojë se ku do ta vazhdojë karrierën e tij.

Sipas asaj që shkruan gazeta spanjolle “El Mundo Deportivo”, sulmuesi argjentinas i është ofruar Barcelonës.

Angel Di Maria (PSG)

Barça është në kërkim të një alternative fazën sulmuese, aq më tepër që Ousmane Dembele më shumë mundësi do të largohet nga “Camp Nou”.

Opsioni i parë për rolin e anësorit te klubi katalanas është Raphinha i Leeds United. Mirëpo blerja e këtij futbollisti do të jetë është më e kushtueshme sepse skuadra e tij ka siguruar qëndrimin në Premier League.

Në anën tjetër transferimi i Di Maria-s do të ishte me parametra zero, mirëpo mosha e tij 34 vjeçare shihet si e vetmja pengesë për klubin spanjoll.

Mbetet të shihet në orët në vazhdim se a do t’i ofrojnë drejtuesit e Barçës një kontratë të shkurtër Di Maria-s.

Vlen të ceket se interesim për të ka shfaqur edhe skuadra e Juventus-it, por mediat spanjolle shkruajnë se argjentinasi më shumë preferon transferimin në Barcelonë.

Transferimi në La Liga do të ishte një rikthim për 34 vjeçarin, pasi që ai luajti më parë për Real Madrid-in gjatë sezoneve 2010 deri 2014.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore